
Dy regjime të ndryshme në formë, por identike në përmbajtje: pushtet i përqendruar, institucione të nënshtruara dhe shoqëri të lodhura që kërkojnë ndryshim.
Në Serbi dhe në Shqipëri, pushteti politik ka ndërtuar një sistem vertikal kontrolli që kap çdo hallkë të shtetit. Aleksandar Vučić në Beograd dhe Edi Rama në Tiranë përfaqësojnë dy versionet e të njëjtës formulë: dominim absolut mbi institucionet, neutralizim të opozitës dhe kthim të administratës në instrument elektoral.

Të dyja shoqëritë jetojnë në realitetin e “stabilitetit të kontrolluar”, ku ndryshimi politik perceptohet si proces i gjatë dhe i dhimbshëm.
Në Serbi, ‘Srpska napredna stranka’* ka zëvendësuar konkurrencën politike me lojalitetin ndaj liderit. Partia ka përvetësuar çdo nivel të administratës publike, ndërsa prokuroria dhe gjykatat veprojnë me dy standarde.
Raportet e Freedom House dhe Transparency International e cilësojnë Serbinë si regjim hibrid me tendencë autokratike.
Protestat qytetare dhe lëvizjet studentore, megjithëse kanë ringjallur aktivizmin, nuk kanë arritur ende të çajnë murin e sistemit partiak.
Në Shqipëri, pas më shumë se një dekade në pushtet, Partia Socialiste ka ndërtuar një strukturë të ngjashme. Kryeministri kontrollon shumicën parlamentare, qeverinë, pushtetin vendor dhe pjesën më të madhe të administratës. Reforma në drejtësi, që fillimisht u prezantua si garanci e pavarësisë institucionale, është shndërruar në fushë përplasjesh të kontrolluara. Pavarësisht goditjeve selektive ndaj disa zyrtarëve, perceptimi publik mbetet se SPAK nuk prek shtresën e sipërme të sistemit politik.
Opozitat në të dy vendet kanë humbur funksionin institucional.
Në Serbi, ato bojkotuan parlamentin për periudha të gjata, ndërsa në Shqipëri përçarjet e brendshme e kanë bërë opozitën të pafuqishme. Në të dy rastet, qytetarët ndihen të pambrojtur mes një shteti të kapur dhe një opozite të paaftë.
Faktori ndërkombëtar mban qëndrime të kujdesshme. Bashkimi Europian kritikon mungesën e llogaridhënies, por pranon stabilitetin si prioritet. Në Serbi, Brukseli përpiqet të balancojë ndikimin rus. Në Shqipëri, BE pranon përparimin teknik, por mbyll sytë ndaj klientelizmit dhe varësisë së institucioneve. Kjo qasje ka krijuar bindjen se lidershipet autoritare mund të mbijetojnë për sa kohë ruajnë stabilitetin formal.
Në të dy vendet, pakënaqësia qytetare po rritet. Në Serbi ajo po merr formë përmes protestave dhe lëvizjeve të reja. Në Shqipëri, ajo manifestohet me emigracion masiv dhe apati politike. Në të dy shoqëritë mungon një strukturë që ta kthejë revoltën në presion institucional. Kjo e bën tranzicionin të pashmangshëm, por të ngadaltë dhe me kosto të lartë shoqërore.
Në analizën e “Vijesti”, eksperti serb Dragan Popović paralajmëron se fundi i regjimit në Serbi nuk do të jetë i shpejtë dhe as pa dhimbje. E njëjta logjikë vlen edhe për Shqipërinë. Kur pushteti ndërtohet mbi varësi dhe kontroll total, çdo ndryshim kërkon çmim të lartë.
Në këtë klimë, ndryshimi nuk mund të vijë shpejt. As në Serbi, as në Shqipëri. Pushtetet e konsoliduara nuk shemben nga zgjedhjet, por nga rrënimi gradual i sistemit. Deri atëherë, shoqëritë do të vazhdojnë të jetojnë në një dimër të gjatë politik, ku shpresa mbijeton, por nuk të ngroh dot./Pamfleti
* Srpska napredna stranka- Partia Përparimtare Serbe
Pushtetet e konsoliduara nuk shemben nga zgjedhjet, por nga rrënimi gradual i sistemit. Deri atëherë, shoqëritë do të vazhdojnë të jetojnë në një dimër të gjatë politik, ku shpresa mbijeton, por nuk të ngroh dot
Sa mire te ngordhin ca nga dimri qe te rrallohen e te marrim fryme me lirshem.