TAGS-AT E JAVËS

Editorial 9 Nëntor 2025, 15:57

Koordinatorët e Edit dhe koordinatorët e Aleksandrit

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net

Koordinatorët e Edit dhe koordinatorët e Aleksandrit

Në Shqipëri dhe Serbi, pushteti nuk funksionon më si garant i ligjit, por si strukturë që bashkëjeton me rrjete kriminale për të kontrolluar zgjedhjet, territorin dhe ekonominë. Ky model hibrid i qeverisjes me bandat po bëhet normë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Perëndimi hesht përballë kapjes së shtetit.

Si në Shqipërinë e Edi Ramës, ashtu edhe në Serbinë e Aleksandar Vuçiç, është konsoliduar një formë qeverisjeje që nuk e ndan më kufirin midis shtetit dhe krimit, por e zhduk me vetëdije.

Pushteti nuk e lufton më krimin; ai e kontrakton, e nënshtron dhe e kthen në instrument të tij.

Në këtë model, banda nuk funksionon më si një rrezik për shtetin, por si pjesë e arkitekturës së tij.

Kjo nuk është thjesht korrupsion apo nepotizëm. Kjo është një formë qeverisjeje që bazohet në bashkëjetesën me strukturat e dhunës dhe të frikës, ku aparati shtetëror nuk i kontrollon grupet kriminale, por bashkëpunon me to për të ruajtur pushtetin.

Nuk ka më dallim midis një zyrtari dhe një krimineli, midis një kontraktori publik dhe një trafikanti, midis një drejtuesi vendor dhe një furnizuesi kokaine. Ata funksionojnë në të njëjtin sistem, ndajnë të njëjtën logjikë, përdorin të njëjtat metoda. Qëllimi nuk është ndërtimi i një shteti, por mbajtja e pushtetit përmes çdo forme të frikës, manipulimit dhe përfitimit.

Në këtë rend, zgjedhjet nuk janë më akt politik. Ato janë operacione logjistike të kontrolluara nga rrjete të strukturuara klienteliste, ku blerja e votës, intimidimi, frika dhe kompensimi me para në dorë janë pjesë e buxhetit elektoral.

Në vend të fushatës, përdoren grupet e rrugës. Në vend të debatit, përdoren makinat e blinduara dhe patronazhistët.

Në këtë model, çdo segment i territorit i është deleguar një strukture informale. Në qytet janë oligarkët që kontrollojnë ndërtimin dhe tregun publik. Në periferitë urbane janë grupet që trafikojnë drogën dhe kontrollojnë zonat e votës. Në fshatra janë personazhe që sillen si "autoritet" lokal, të lidhur me pushtetin përmes patronazhit dhe shërbimit elektoral.

Ky është modeli i pushtetit që vret politikën dhe e zëvendëson atë me rrjete kriminale. Media nuk investigon dot, sepse frigohet. Prokuroria nuk heton, sepse është pjesë e marrëveshjes. Policia nuk vepron, sepse është pjesë e zinxhirit. Shoqëria nuk organizohet, sepse është e zhytur në borxhe, frikë dhe propagandë.

Në vend të reformës, ofrohet një stabilitet i frikshëm. Në vend të llogaridhënies, ofrohet spektakël. Në vend të drejtësisë, ofrohet selektivitet. Kjo nuk është më tranzicion. Është normalizimi i një modeli ku shteti nuk është më garant i ligjit, por garant i heshtjes dhe i kontrollit total.

Ky model po kthehet në referencë për gjithë rajonin. Nuk është më specifik për një lider apo një parti. Është bërë manual i qëndrimit në pushtet në Ballkanin Perëndimor. Dhe sa më shumë hesht Perëndimi për këtë skemë, aq më shumë ajo forcohet si model alternativ ndaj demokracisë funksionale.

Raportet e Freedom House (“Nations in Transit 2024”) e klasifikojnë të gjithë rajonin si zona me demokraci hibride dhe rënie të indeksit, me theks të veçantë tek Serbia dhe Shqipëria. Transparency International, në analizat e saj mbi kapjen e shtetit, thekson përdorimin e ligjeve të krijuara me porosi dhe kontrollin politik mbi drejtësinë. Raporti “Deconstructing State Capture in Albania” dokumenton me fakte se si rrjetet klienteliste, ndikimi mbi drejtësinë dhe korrupsioni e kthejnë pushtetin në një aleancë me krimin. Studime të ngjashme të SELDI tregojnë se kapja e shtetit po përhapet si praktikë sistematike në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Nëse nuk thyhet kjo simbiozë midis pushtetit dhe krimit, asnjë reformë nuk ka kuptim. Asnjë zgjedhje nuk është e lirë. Nuk ka më Drejtësi reale. Dhe asnjë shpresë nuk ekziston.

Ky është modeli që po kontrollon rajonin. Është modeli që duhet thyer, nëse Ballkani do të ketë një të ardhme që nuk matet me numrin e bandave që administrojnë./Pamfleti

the twins kordinatorët e edi ramës koordinatorët e vuçiçit

2 Komente

  1. P
    Palloshi gjate

    Pyesni pak strukturat perkatese:Si ka mundesi qe ka te pakten 3 vjet pa kap asnje gram kokaine ne Portin e Durresit apo po te doni Shengjin e Vlore! Apo:kjo ndershmeri po na mban gjalle!!! Pysni kryeministri ne koference per shtyp o gazetare defiçentè ,mos i beni pyetje:Sa dhembe ka ingranazhi me 72 dhembe?????!

    1. O
      O pika qe s'u bie

      Nuk eshte keshtu. Kini harruar elementin pozitiv : Analizat qe i ben here mbas here Linda punes se qeverise dhe demokracise ne vend. Jini me serioz.

      Lini një Përgjigje

      Editorial