TAGS-AT E JAVËS

Editorial 7 Janar 2026, 14:52

Pakti i Heshtur

Shkruar nga Gjergj Zefi
Pakti i Heshtur
Vladimir Putin dhe Donald Trump /

Arrestimi i Maduros dhe heshtja e Putinit zbulojnë një ndarje të re të botës: sferat e ndikimit po zyrtarizohen mes Moskës dhe Uashingtonit dhe Ballkani është në vijën e zjarrit...

Fundi i beftë i Nikolas Maduros, dikur një nga figurat më të zëshme të aksit anti-amerikan, ndodhi jo në fushëbetejë, por në heshtje. Ai u kap nga forcat speciale amerikane dhe u zhduk nga skena ndërkombëtare pa një deklaratë të vetme nga Vladimir Putin dhe aleatët e tij.

Për shumëkënd, kjo mund të duket si tradhti. Por në të vërtetë është strategji. Rusia ka bërë një zgjedhje të qartë: nuk do të harxhojë energji për të mbrojtur aleatë të largët si Venezuela. Ashtu si SHBA nuk do të rrezikojë më në një luftë për Ukrainën. Ky është pakti i heshtur që po formëson një rend të ri botëror.

Në këtë rend, SHBA-ja rikthehet fuqishëm në oborrin e saj, Amerikën Latine; me ndërhyrje ushtarake direkte dhe pa shumë diplomaci. Trump e ka kthyer hemisferën perëndimore në prioritet strategjik, duke lënë të kuptohet se për Ukrainën nuk do të ketë më një “çek të bardhë”.

Nga ana tjetër, Rusia konsolidon ndikimin në kufijtë e saj dhe përgatitet të sfidojë NATO-n aty ku e ka më të lehtë: në Ballkan dhe Evropën Lindore.

Serbia, Bosnja, Armenia, ndoshta edhe Moldavia, janë zona të hapura për ndërhyrje, sidomos nëse SHBA-ja vijon të tërhiqet.

Kjo nuk është më një përplasje e madhe ideologjike. Është një ndarje e territoreve të influencës, një rikthim në logjikën e fuqive të mëdha që respektojnë “hapësirat” e njëra-tjetrës, për aq kohë sa kjo nuk ndodh në oborrin e tyre.

Maduro është vetëm prova e parë. Më tragjik do të jetë rasti kur një “Maduro” i ri të rrëzohet në Ballkan apo Baltik, dhe bota të heshtë sërish; sepse loja është mbyllur që më parë. Dhe është mbyllur pa asnjë marrëveshje publike, por me veprime që flasin më shumë se fjalët.

Shqipëria në këtë ekuacion të ri gjeopolitik

Në këtë konstelacion të ri global, Shqipëria rrezikon të mbetet spektatore në një skakierë ku lëvizjet vendosen larg Tiranës. Ndërkohë që Perëndimi po riformulon prioritetet dhe Rusia po teston durimin e NATO-s, qëndrimi diplomatik shqiptar ka qenë korrekt, por jo proaktiv.

Shqipëria ka mbështetur Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë, por ka heshtur për rritjen e ndikimit rus në rajon, veçanërisht për zhvillimet në Serbi, Bosnje dhe për rreshtimin e Maqedonisë së Veriut drejt krizës politike. Nëse ky pakt i heshtur midis fuqive të mëdha zyrtarizohet, atëherë Ballkani kthehet në zonë tampon, ku çdo lëvizje diplomatike apo ushtarake merr rëndësi strategjike.

Tirana duhet të kuptojë se neutraliteti nuk është opsion, sidomos kur aleatët historikë si SHBA po bëjnë zgjedhje të vështira në politikën globale. Shqipëria ka nevojë për një politikë të jashtme më të guximshme, më të angazhuar në forumet euroatlantike dhe më të zëshme për destabilizimet që po përgatiten në rajon.

Sepse nëse dikur “testi” ishte Venezuela, herës tjetër ai mund të jetë shumë më afër kufijve tanë./Pamfleti

 

pakti i heshtur gjergj zefi

1 Komente

  1. T
    Tony

    Voleobolli eshte ma nep ta nap e kaloje matane, ka thene i madhi Loro Borici.

    Lini një Përgjigje

    Editorial