Babadimri, Papa dhe fundi i ideologjive: kur argëtimi mposht pushtetin...
“Sa divizione i ka Papa?” – kishte pyetur dikur me cinizëm Stalini, në kohën kur socializmi ishte në kulmin e fuqisë së vet. Diktatura e proletariatit paraqitej si kulmi i lirisë, ndërsa i vetmi zot i pranuar ishte vetë Stalini. Mungesa e fuqisë ushtarake dhe e besimit, krijimi i njeriut socialist dhe i moralit të njëjtë, bënin që realizmi të dukej më i arsyeshëm se misticizmi.
Disa dekada më vonë, të ngopur me realizëm dhe të pangopur me bukë, qytetarët e bllokut lindor iu kthyen besimit. Luteshin nën zë dhe shpresonin që Zoti t’i shpëtonte nga barazia e imponuar me forcë. Ideologjisë së barazisë iu kundërvu ideologjia e humanizmit dhe mëshirës, e cila triumfoi me rënien e Murit të Berlinit.
Historia ia ktheu përgjigjen Stalinit me ironi: Papa Karol Wojtyła, pa asnjë divizion, vetëm me një predikim dhe solidaritet polak, rrëzoi perandorinë e kuqe. Por rrënimi kishte ndodhur përbrenda: njeriu e kishte mundur sistemin, papërsosmëria kishte rrënuar teoritë e përsosura.
Pas asaj kohe, bota hyri në një epokë lirie dhe shfrenimi. Fuqia e njeriut nuk kishte qenë kurrë më e madhe, por sistemet vazhdonin luftën e tyre me individin. Këtu del në skenë Babadimri. Santa Klaus u bë lideri i ri shpirtëror i planetit, i festuar edhe nga ata që nuk ishin të krishterë.
Ndërsa ideologjitë autoritare përplaseshin me humanizmin, njerëzit filluan të jetojnë për qejf, duke shpenzuar më shumë për argëtim sesa për nevoja. Në prag të festës, pyetja e Stalinit rimodelohet: “Sa divizione i ka Babadimri?”
Ky personazh laik, që vjen më 31 dhjetor në mesnatë, i veshur me të kuqe, pa ushtri e pa pushtet politik, ka një fuqi tjetër – atmosferën. Ai sjell hare përballë rregullit, luhatje përballë ecjes së ngurtë, jopërsosmëri përballë sistemit. Na thotë të duam jetën, të kultivojmë lumturinë, sepse kjo është përgjegjësia jonë si njerëz. Për të tjerat kemi makineri, robotë, inteligjencë artificiale.
Dhe atmosfera, për çudi, është më e fortë se ideologjitë. Kështu bëhemi fëmijë, të gjithë.
Lufta mes Lindjes dhe Perëndimit përfundoi, demokracia fitoi, por brenda individit mbeti një e çarë: demokracia është pushteti i shumicës mbi pakicën, ndërsa argëtimi është rebelimi i njeriut ndaj sistemit dhe moralit.
Teknologjia na ushqen, na mban ngrohtë, na jep dije. Por përse bëhen gjithë këto? Do të bëhemi robotë? Të gjithëdijshëm? Përse?
A do ta rrënojë Babadimri edhe Zotin brenda nesh – atë që na tregon çfarë duhet bërë?
Shekulli XX ishte shekulli i përplasjes: liri kundër diktaturës, besim kundër ateizmit. Lufta e Ftohtë nuk ishte vetëm për territore, por për mendje dhe zemra. Sot, pas Murit të Berlinit, ideologjitë e mëdha janë si libra të pluhurosur: askush nuk i lexon.
Teknologjia mundet gjithçka, përveçse të krijojë kuptim për njeriun. Argëtimi është bërë ideologjia e re. Nuk ka më nevojë për traktate e predikime. Njerëzit duan të ndihen mirë, të festojnë, të harrojnë barrën e përgjegjësive.
Dhe Babadimri është simboli i kësaj epoke: nuk ka divizione, por ka miliona zemra që e presin me gëzim.
Në kohën e Stalinit, fuqia mathej me tanke. Pastaj me paratë. Sot matet me pushtetin ndaj vetvetes, me aftësinë për të krijuar atmosferë. Robotika, inteligjenca artificiale, predikimet fetare apo ideologjike nuk e zëvendësojnë dot këtë. Atmosfera është njerëzore, e prekshme, e përjetueshme. Nuk mund të programohet, as të imponohet me dhunë.
Babadimri shpall luftë jo vetëm ideologjisë, por edhe moralit tradicional. Dikur argëtimi shihej si kundërta e rregullit dhe përgjegjësisë. Sot është bërë qëllimi final i jetës. Shoqëria që dikur ndërtonte utopi ideologjike, sot ndërton hapësira argëtimi.
Papa Wojtyła rrëzoi një perandori me moral. Babadimri shkon përtej humanizmit.
Pyetja e Stalinit ishte ironike, por pyetja për Babadimrin është edhe më ironike: “Sa divizione i ka?”
Argëtimi si ideologji ka një mision: të dekonstruktojë konceptin e “arsyes së shëndoshë”. A nuk e shkatërron mendimi politik lumturinë? A nuk i rrezikon Babadimri burokratët që premtojnë lumturinë kolektive?
Përgjigjja është e thjeshtë: bëni qejf!
Në këtë atmosferë, lexuesit mund të vrapojnë te bredhi për të parë fuqinë e Babadimrit. Dhe dhurata më e mirë për kosovarët do të ishte një njohje e re – e pesta këtë vit – pikërisht nga shteti i Laplandit.
Presidentja kërkoi njohjen jo nga Babadimri, por nga Vatikani, ku u prit me respekt. Por marrëdhëniet mes kishave e bëjnë të pamundur njohjen e Kosovës nga Papa.
Por, a do të pengohet njohja nga Laplandi nga gjeopolitika? A do ta mundë arsyeja e shëndoshë “ideologjinë” e argëtimit, ashtu siç e mundi drejtësinë e përsosur dhe vetë përsosmërinë?
Më besoni, argëtimi nuk kërkon besnikëri, nuk imponon moral, nuk ka “divizione”. Është një mungesë ideologjie, një boshllëk ku individi nuk ka nevojë të besojë, por thjesht të ndjehet mirë.
Në vend që të luftojmë për ideale, të luftojmë njëri-tjetrin, le të luftojmë për momente gëzimi. Argëtimi është një refuzim i arsyes së shëndoshë – nuk pyet “pse”, por thotë “pse jo?”.
Lëre fare, edhe Babadimri do të na vijë i dehur, si duket. Për ushqimin tonë, organizimin dhe sigurinë kujdesen AI dhe robotët. E kemi kapur kodin e universit dhe të jetës. Por njeriu refuzon të kodohet.
Mira Murati thotë se krijoi makinat që mendojnë, por ato nuk bëjnë qejf, mendojnë në heshtje. Mendojnë për ne.
O njerëz, të bëjmë pak qejf. Makina dhe sistemi mendojnë për ne.
Po vjen koha e qeflinjëve.
Pssst, heshtni ju makina. Punoni ju për ne apo ne për ju?
Gëzuar!/Pamfleti
Dmth, qe zgjedhja e Papes ka lidhje "simbolike" me ndryshimin. Polaket e Vojtiles dhane sinjalin e shketerrimit te Sovjetikeve e Papa i USA eshte sinjali i dominimit global nga USA. Mire shume.