TAGS-AT E JAVËS

Editorial 3 Janar 2026, 22:04

Po pas Venezuelës, kush e ka radhën?

Shkruar nga Gjergj Zefi
Po pas Venezuelës, kush e ka radhën?
Venezuela sot /

Ndërhyrja ushtarake e SHBA-së në Amerikën Latine ringjall doktrinën e vjetër të dominimit rajonal dhe krijon një precedent të rrezikshëm për një botë ku forca zë vendin e diplomacisë...

Kur një superfuqi vendos të ndërhyjë ushtarakisht në një shtet sovran pa miratimin ndërkombëtar, rendi global është lëkundur. Kjo është ajo që po ndodh me Venezuelën. Shtetet e Bashkuara e justifikojnë veprimin e tyre me luftën kundër drogës dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare, por sinjalet që përcjell kjo ndërhyrje janë shumë më të gjera, më të thella dhe më të rrezikshme.

Ajo që ndodhi në Caracas nuk është thjesht një operacion kundër një regjimi autoritar, por një rikthim në mënyrë të heshtur te një logjikë politike të shekullit XIX: se hemisfera perëndimore i përket ekskluzivisht Amerikës.

Në pamje të parë, përfitimi strategjik i Uashingtonit është i qartë: eliminimi i një aleati të Moskës dhe Teheranit në rajon, rifitimi i kontrollit mbi burimet energjetike dhe vendosja e një ekuilibri të ri në Amerikën Latine, në një kohë kur ndikimi kinez dhe rus po rritet. Por problemi lind kur një veprim i tillë, sado i justifikuar në sytë e një aleance, thyen normat ndërkombëtare dhe nxit një efekt zinxhir. Në një botë ku rregullat bëhen të përkohshme dhe forca zë vendin e dialogut, çdo akt i njëanshëm krijon të drejtën për një tjetër akt të njëanshëm. Dhe në këtë logjikë, Beixhingu mund ta lexojë Venezuelën si precedent për Taivanin.

Nëse një superfuqi mund të ndërhyjë në emër të “sigurisë rajonale”, atëherë pse të mos ndërhyjë edhe Kina, në një territor që e konsideron pjesë të pandashme të saj? Ajo që SHBA kërkon të pengojë në Azi, sot e ka bërë në Amerikën Latine. Ky është rreziku më i madh: zëvendësimi i të drejtës ndërkombëtare me të drejtën e më të fortit.

Për vendet më të vogla, që gjenden shpesh mes interesave të mëdha, ky është një alarm. Krijimi i precedentëve të tillë rrit pasigurinë globale, dobëson institucionet multilaterale dhe e kthen botën në një arenë me rregulla të paqarta. Diplomacia tërhiqet dhe vendin e saj e zë forca, me pasoja që prekin jo vetëm kontinentet e mëdha, por edhe hapësira relativisht të vogla, si Ballkani.

Ndaj, është momenti që komuniteti ndërkombëtar, përfshirë vendet e NATO-s dhe të BE-së, të reflektojë mbi rrugën që po ndjek rendi global. Ndërhyrja në Venezuelë nuk duhet të shihet në izolim, por si pjesë e një klime gjithnjë e më të tensionuar ndërkombëtare, ku një lëvizje në një cep të botës mund të prodhojë tronditje globale. Dhe nesër, përpara se të diskutojmë për zgjidhje diplomatike në Tajvan, ndoshta do të na duhet të sqarojmë pse heshtëm për Venezuelën./Pamfleti

venezuela kush e ka radhën?!

2 Komente

  1. T
    Tony

    Ligjerisht nderhyrja e arrestimi e grabitja e nje presidenti mund të quhet shkelje e rende e tere verr ver. Edhe mos diskutimi ne Senat duket arrogant. Por për hir të secretit të operacionit ky veprim nuk mund të kryhej. Ky nuk ishte nje invadim ushtarak por rrembim i nje personi kriminel ne kerkim. Pse a mund të rrezohej Hitleri, Enveri, Stalini, Kadafi, Sadami me zgjedhje demokratike? Kurre. Keshtu më mirë të shkelet e drejta nje personi se sa të nje populli e me shume gjakderdhje. Tani pse e qysh e ku aresyeja te nafta e mineralet e bananet, Amerikani sa fillon nje muhabet të thote: “What’s in it for me?”

    1. M
      Malo

      Ska cfar i shtoje komentit tuaj je i sakte madje pak me i ashper duhet te ishte komenti juaj,te majtet nuk kuptojne ndryshe….????????????‍♂️

    Lini një Përgjigje

    Editorial