TAGS-AT E JAVËS

Editorial30 Dhjetor 2025, 14:01

Kina flet me armë, Perëndimi vëzhgon nga larg

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Kina flet me armë, Perëndimi vëzhgon nga larg
Testi ushtarak kinez

Tajvani mes raketave dhe politikës: A po përgatit Kina skenarin e pushtimit?

Tensionet mes Tajvanit dhe Kinës tekstualizohen sërish me përmasat e një provë force ushtarake që tejkalon përmbajtjen rrethanore dhe hyn në fushën e sinjalizimit strategjik ndaj Taipei‑t, Uashingtonit dhe Tokio‑s.

Manovrat “Justice Mission 2025”, dy ditë stërvitje ushtarake rreth ishullit që Kina e quan provincë të saj, janë shndërruar në rutinë që prej vizitës së ish‑kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, në 2022‑ën. Por përmasat, zona e mbuluar dhe intensiteti i kësaj here tregojnë një evolucion të qartë të narrative kineze: nga shfaqja e muskujve ushtarakë në afërsi të vijës kontinentale drejt skenarëve praktikë të rrethimit dhe bllokadës.

Dhjetë orë “live fire” në pesë zona detare e ajrore rreth Tajvanit, përfshirë goditje me raketa në ujërat përreth dhe përpjekje për simulimin e bllokadës së porteve kryesore, nuk janë vetëm ushtrime. Ato janë një mesazh i qartë se Pekini synon të demonstrojë kapacitetin e tij A2/AD: aftësinë për të izoluar Tajvanin, për të bllokuar shtigje kyçe logjistike dhe për të sfiduar ndërhyrjen e mundshme të aktorëve të tretë si SHBA, Japonia apo Filipinet. Kur flasim për Tajvanin, nuk është çështje vetëm e sigurisë rajonale, por edhe e stabilitetit të zinxhirëve globalë, sepse një bllokadë do të prekë jo vetëm furnizimet ushtarake, por edhe energjinë, lëndët e para dhe trafikun ndërkombëtar të mallrave përgjatë ngushticës që ndan Kinën kontinentale nga deti i Filipineve.

Pekini ka zgjedhur me kujdes kohën e këtyre manovrave. Ato vijnë menjëherë pas miratimit amerikan për një paketë të jashtëzakonshme armësh, mbi 11 miliardë dollarë, për Tajvanin, dhe pas një rritjeje të retorikës ushtarake dhe diplomatike të Japonisë rreth mbrojtjes së ishullit si domosdoshmëri për sigurinë e vet kombëtare. Këto janë sinjale se dinamikat e sigurisë në Paqësorin Perëndimor janë larg konsolidimit, ndërsa Kina përdor stërvitje ushtarake si vegël jo vetëm për ushtruar fuqinë, por edhe për të shkapërdarë frikë dhe për të ndikuar në linjat politike të Uashingtonit dhe aleatëve të tij.

Për Tajvanin, këto veprime janë provokime që kërkojnë vigjilencë dhe përgjigje strategjike, jo vetëm nga forcat e veta të armatosura, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që e mbështesin. Për Perëndimin, sfida është të gjejë një ekuilibër, të mos lejojë nxitje për një konflikt të armatosur të gjerë, por të mos dërgojë sinjale dobësie që Kina i percepton si ftesë për presion të mëtejshëm. Për botën globale, e ardhmja e Paqësorit Perëndimor është treguesi kryesor se si rivalitetet strategjike midis fuqive të mëdha mund të shndërrohen nga beteja e tregut ekonomik në skenare të reja të përplasjeve ushtarake.

Në pamje të parë, “Justice Mission 2025” është një ushtrim ushtarak. Në realitet, është një kapitull tjetër në fushatën më të gjërë kineze për rikthimin e dominimit rajonal, një fushatë që kërkon vëmendje dhe angazhim serioz nga komuniteti ndërkombëtar, përpara se të jetë vonë për të rivendosur ekuilibrat që garantojnë paqen dhe stabilitetin në një nga rajonet më jetike të globit. /Pamfleti

kina tajvani shba

Lini një Përgjigje

Editorial