TAGS-AT E JAVËS

Editorial27 Dhjetor 2025, 10:41

Menaxhimi cinik i humbjes së perëndimit në Ukrainë

Shkruar nga Gjergj Zefi
Menaxhimi cinik i humbjes së perëndimit në Ukrainë
Një zjarrfikës, pas sulmeve me raketa dhe dronë rusë, në Kiev, Ukrainë, mesnatën e mbrëmshme, më 27 dhjetor 2025. Credits: Reuters /

Nga “mbrojtja e vlerave” te pazari politik; lufta në Ukrainë po mbyllet jo me drejtësi, por me lodhje strategjike dhe interesa gjeopolitike…

Takimi i paralajmëruar mes Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump nuk është as diplomaci klasike, as paqe në kuptimin e saj historik. Është tregti politike, e zhveshur nga idealet dhe e veshur me cinizmin brutal të një bote ku luftërat nuk mbarojnë kur ndalen armët, por kur ndryshon llogaria e interesave.

Ukraina po hyn në vitin e katërt të luftës jo si subjekt sovran që negocion nga forca morale, por si palë e rraskapitur që i kërkohet të “realizohet” përballë realpolitikës amerikane, ku fjala “fitore” ka kohë që është zëvendësuar me termin “menaxhim humbjeje”.

Trump nuk po e pret Zelenskyn si aleat, por si problem të trashëguar. Një konflikt i shtrenjtë, i zgjatur dhe politikisht i papërshtatshëm për një Amerikë që po mbyllet në vetvete dhe po i rikthehet instinktit izolacionist. Mesazhi është i thjeshtë dhe brutal: ose pranoni një paqe të keqe tani, ose përballuni me një luftë edhe më të keqe pa asnjë mbështetje nesër. Garancitë e sigurisë që përmenden janë formula të paqarta, dokumente politike pa dhëmbë, që nuk e ndalin tankun rus dhe as raketën që bie mbi Kiev. NATO mbetet tabu, sepse askush në Perëndim nuk dëshiron të vdesë për Donbasin, sado heroike të tingëllojë kjo në fjalime.

Në këtë skemë, Rusia e Vladimir Putin nuk ka asnjë arsye të nxitojë. Kremlini e di se koha punon për të. Çdo ditë që kalon, Ukraina konsumon burime, njerëz dhe durim politik në Perëndim. Çdo “plan paqeje” që qarkullon në tavolinat amerikane është në thelb një legalizim i faktit të kryer: territore të humbura që quhen “kompromise”, pushtime që ribrand-ohen si “realitete në terren” dhe një shtet i dëmtuar që ftohet të firmosë aktin e vet të amputimit për hir të stabilitetit rajonal.

Zelensky gjendet në pozicionin më të keq të mundshëm: hero për kamerat, por negociator pa karta. Referendumi që përmendet si opsion nuk është shprehje demokracie, por mekanizëm shpërndarjeje faji. Një mënyrë elegante për t’ia kaluar popullit përgjegjësinë e një marrëveshjeje që askush nuk guxon ta mbrojë hapur. Historia do të jetë cinike edhe këtu: do ta quajë “vendim sovran” atë që në fakt është presion gjeopolitik i maskuar si zgjedhje.

Ky nuk është fundi i luftës në Ukrainë, por fillimi i një faze të re ku lufta vazhdon pa iluzione. Pa fjalime për vlera, pa flamuj në profile sociale dhe pa premtime boshe për rend ndërkombëtar. Është momenti kur Perëndimi pranon, pa e thënë troç, se Ukraina ishte front, jo destinacion; mjet presioni, jo projekt afatgjatë. Dhe kur Trump të dalë para kamerave duke folur për “paqe”, ajo që realisht do të ketë ndodhur është një gjë tjetër: normalizimi i faktit se në shekullin XXI, kufijtë ende ndryshohen me forcë, mjafton që fatura të bëhet shumë e shtrenjtë për t’u refuzuar./Pamfleti

menaxhimi i humbjes perëndimi ukraina

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Mesa duket: vija e frontit do ngrijë aty ku e gjen dakortësia në bisedimet e fundit. Garant për vijën e frontit do jenë SHBA. Do kryen zgjedhjet presidenciale në Ukrahinë dhe referenduni me pyetjen: A jeni për vazhdimin e luftës deri në çlirimin e gjithë teritoreve të pushtuara, apo për paqe ku për Rusinë Donbasi është vijë e kuqe? Konkluzioni: Askush nuk duhet të krruhet me superfuqitë, në zonat e tyre të influencës.

    Lini një Përgjigje

    Editorial