TAGS-AT E JAVËS

Editorial26 Dhjetor 2025, 11:47

Kush sundon internetin, sundon botën

Shkruar nga Pamfleti
Kush sundon internetin, sundon botën
Përplasja për teknologjinë /

Përplasja SHBA–BE për teknologjinë po shndërrohet në një “luftë të ftohtë digjitale”, ku në lojë nuk janë platformat, por sovraniteti, demokracia dhe pushteti global...

Ajo që po ndodh mes Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është një debat teknik mbi algoritme, rregullore apo gjoba ndaj ‘Big- Tech’. Është një përplasje strategjike për kontrollin e rendit digjital global, e ngjashme në logjikë me Luftën e Ftohtë klasike, por shumë më e sofistikuar dhe më e rrezikshme, sepse zhvillohet mbi të dhëna, informacion dhe mendje njerëzish.

Evropa, e vetëdijshme për dobësinë e saj industriale në teknologji, ka zgjedhur rrugën e rregullimit: ligje si DSA dhe DMA janë përpjekja e Brukselit për të vendosur kufij ndaj gjigantëve amerikanë që kanë ndërtuar monopole digjitale, kanë ndikuar diskursin publik dhe kanë akumuluar pushtet përtej çdo kontrolli demokratik. Për BE-në, kjo është çështje sovraniteti dhe mbrojtjeje të rendit demokratik. Për Uashingtonin, është kërcënim ndaj interesave ekonomike dhe ndikimit global amerikan.

Reagimi amerikan, që nga presioni diplomatik deri te ndalimet simbolike të vizave për figura evropiane, tregon se konflikti ka dalë nga binarët e dialogut transatlantik. SHBA, që historikisht ka predikuar tregun e lirë dhe lirinë e shprehjes, po e përdor këtë narrativë si mburojë për kompanitë e saj, duke e paraqitur Evropën si “censuruese”, ndërkohë që realisht frika është humbja e kontrollit mbi arkitekturën digjitale globale.

Kjo luftë e ftohtë digjitale është paradoksale: aleatë në NATO, partnerë strategjikë në Ukrainë, por rivalë të hapur në teknologji. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku. Nëse ndarja thellohet, bota mund të përfundojë me dy sisteme digjitale paralele, dy standarde, dy vizione për internetin dhe lirinë. Një fragmentim që nuk do të dëmtojë vetëm marrëdhëniet SHBA–BE, por vetë idenë e një hapësire globale të hapur.

Për vende të vogla si Shqipëria, kjo përplasje nuk është e largët. Rregullat që vendosen sot në Bruksel apo Uashington do të përcaktojnë nesër mënyrën se si funksionon media, ekonomia dhe politika edhe në Ballkan. Në këtë realitet, pyetja nuk është kush do të fitojë luftën digjitale, por kush do të vendosë rregullat e saj. Dhe për herë të parë pas dekadash, Evropa po tenton të mos jetë thjesht terren, por aktor./Pamfleti

përplasja për teknologjinë interneti shba-be përplasja

1 Komente

  1. T
    Tony

    Jo, jo, jo, kjo eshte poshtersia me e madhe qe rekomandohet. Cfare i duhet e i "hyn" ne pune Amerikes permes linjave te saj te fuse hundet ne shtetet e tjera deri te aplikimi per pune qofte edhe si fshesaxhi? Popull, popuj hapni syte se jeni verbuar fare. Ne se psh. Shqiperia ka sistemin e sistemet e veta te sigurise, bankave, financave, punesimit, etj., pse keto "varavingo", lidhje e aprovime duhet te kalojne permes rrjetit te internetit Amerikan? Po kerkohet te hiqet perdorimi i parase cash e te perdoret vetem karta bankes. OK. Ne te vegjelve na kontrollohet edhe sa karrota, mish, buke e fruta perime blejme. Po kurveria kodoshe oligarke qe leviz miliarda e nuk dihet kush e ka kete biznes, ate fabrike e ate ndertese!? Ne 1990en bota kujtoi se do jemi te lumtur ne nje bote te lire demokratike e sot jemi ne nje situate te nje lufte me te tmerrshme se ajo qe krijoi Hitleri. Cfare eshte kjo kakerdhi bitcoin, cfare? Perse i duhen botes armatime? qe te vrasim njeri tjetrin? Per biznes, bravo. Mos harroni qe kush i nisi keto biznese e luftera ne bote do berfundoje si Duce, Hitleri e te tjere.

    Lini një Përgjigje

    Editorial