Një rikthim në normalitet e tmerron Edi Ramën, pasi ka shumë frikë se tashmë amerikanët e kanë bërë gati fundin e tij. Ndaj flirton me Sali Berishën, duke bërë pazare në dëm të stabilitetit...
Niçja i madh (jo ai i Gjushit), ka lënë një postulat brilant: Ajo që nuk të vret, të forcon!
Sali Berisha, është një shembull autentik i ndjekjes së këtij rregulli, që prej më shumë se 10 vitesh ka nisur një luftë të pabarabartë me kohën dhe Perëndimin.
Edhe pse në gjendje mjaft të rëndë, në kushte krejt të vështira për të vijuar një betejë me Edi Ramën dhe ndërkombëtarët, ai e di mirë që kurrë nuk duhet të dorëzohesh, pasi në politikë ka një rregull: Gjithmonë negociohet!
Natyrisht, kushtet dhe kërkesat varen nga mjaft rrethana, por asnjëherë një politikan që është aktiv nuk e ndal negocimin për të mbijetuar apo edhe vijuar veprimtarinë e tij.
Edhe sot, Sali Berisha nuk rresht së negociuari për fatin e tij, të familjes së tij, e natyrisht edhe të mjedisit që ai ka përreth, i cili po zvogëlohet në mënyrë dramatike. Megjithatë, ai mjedis ka nevojë për t’u mbajtur, ka nevojë për t’u ushqyer, e organizimi ka nevojë për para. Të cilët Sali Berishës tani i janë kufizuar shumë, qoftë me sekuestron e shumë pronave, por edhe me monitorimin e rreptë që ndërkombëtarët i bëjnë transaksioneve që vijnë nga oligarkët e mëdhenj.
E pikërisht në këto ditë, vijnë informacione të çuditshme për tratativa që njerëz të Sali Berishës po bëjnë me njerëz të ndryshëm, për të rritur numrin e reduktuar të mbështetësve.
Në modelin e LSI-së së Ilir Metës, njerëz nga foltorja po joshin sa më shumë persona, duke ju ofruar punë të ndryshme, që natyrisht janë fitime për ta.
Këto ditë ka negociata të ethshme me brigada ndërtuesish për t’u dhënë kontrata në rifiniturë, lyerje, apo pllaka e gipse. Duke ju premtuar pagesa të majme. Fakt, që tregon qartë se mjedisi i Foltores nuk është krejt pa punë, por kohët e fundit ka marrë përsipër kontrata të reja në ndërtim.
Kontrata që dihet kush i ndan ose kush mund t’i bllokojë në këtë vend. I plotfuqishmi “padishahu” i Surrelit.
Siç ka ndodhur gjithmonë, hapësira e marrëdhënieve të pushtetit me opozitën e përkatësisht taboret e Berishës e Metës, kanë marrë llokma nga paratë që shpërndan pushteti.
Pa para, nuk ka asnjë mudnësi për të mbijetuar, për të paguar njerëzit, apo për të influencuar mediat. Por në këto momente, duket se kemi të bëjmë me një ridemensionim të ri të kësaj marrëdhënieje, mes Ramës dhe Berishës. Padyshim në mënyrë indirekte.
Edi Ramës i leverdis, madje shumë, një gjendje status-kuo’je, madje që të zgjasë sa më shumë. Kjo jo vetëm për të siguruar një fitore apo mandat të katërt, por ajo çfarë është më e rëndësishme, për të siguruar ‘cash’ në sasi edhe më të mëdha. Pasi janë pikërisht sasitë e mëdha të ‘cash’ që ndikojnë më shumë, e krijojnë një gjendje që rrudhin, apo frenojnë lëvizjet e mundshme të ndërkombëtarëve për të ndaluar Edi Ramën.
Në një situatë të qetë e normale në Parlament apo jetën politike; media, parlamenti por edhe debati do të bëhej për trafiqet, korrupsionin, tenderët që gëlojnë pa fund, e natyrisht për skandalet qeveritare.
Por ka mbi 6 muaj që nuk flitet fare për asnjë nga këto.
A ka dëgjuar kush të kapet ndonjë sasi kokaine në Durrës përveç disa çikërrimave të kanabisit andej këtej?
Sipas të gjitha gjasave, narkotrafiku është në kulmin e tij, si dhe paratë e shumta që vijnë nga trafiqet.
Në rastet e mëparshme, kur nga politika është bërtitur shumë për këtë gjë, gjithçka ka ndodhur sepse kërkohej pjesa për llokmën.
Në një kohë kur ka rënë një qetësi e madhe, në institucione ka vetëm rrëmujë, flakadanë dhe bllokim të presidentit e ambasadorëve, prioriteti ka ndryshuar.
Edhe ndërkombëtarët nuk kanë si flasin për korrupsion e trafiqe, por për stablilitet e qetësi.
Ndërkohë, sulmet ndaj SPAK, janë mesazhe e shantazhe të qarta që të mos avancojnë me dosjet e tjera, se do të bëhet nami. Rrëmujë e mungesë stabiliteti.
Fiks siç po ndodh në Ekuador, ku kartelet e kokainës kanë shpallur një narko-puç duke luftuar me shtetin që edhe ai për vete ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. E gjitha bëhet për të negociuar në kushte të tjera.
Edi Rama, i ka të gjitha mundësitë që të vijojë në Parlament që sot reformat me Lulzim Bashën. Këtë ja kërkoi zyrtarisht edhe OSBE dje, që njohu Enkelejd Alibeajn si bashkëkryetar të komisionit të reformës zgjedhore. Pas OSBE-së është qartësisht SHBA. Por, një rikthim në normalitet e tmerron Edi Ramën, pasi ka shumë frikë se tashmë amerikanët e kanë bërë gati fundin e tij. Ndaj flirton me Sali Berishën, duke ndarë pazaret e parave në ‘cash’. Shumë parave. Që si Ramës, ashtu edhe Berishës i duhen për zgjedhjet parlamentare. Njërit për të ruajtur pushtetin, e për të mos pasur fundin e negociatorit të tij, e tjetrit për të mbijetuar, se siç thotë Niçja, ajo çfarë nuk të vret, të forcon./Pamfleti
Lini një Përgjigje