Rama kërkon të japë një mesazh të qartë për të gjithë socialistët që duan karrierë: Doni të bëheni deputetë, duhet të jeni si Plarent Ndreca…
Edi Rama kishte kohë që planifikonte zëvendësimin e Arben Ahmetajt në kohë rekord. Madje, bëri të gjithë përpjekjet që ish-zv/kryeministri të largohej e të mos duket më në nahinë tonë.
Sepse Ahmetaj, përmendi publikisht historinë e 18 vendimeve të qeverisë të marra brenda një paradite për ndërtimin e inceneratorëve, e të tjera e të tjera…
Ahmetaj në këtë rast mund të shërbente si një katalizator për zgjimin e atyre deputetëve që prej kohësh nuk janë dakord me Edi Ramën dhe qeverisjen e tij, por kanë zgjedhur të mos flasin.
Ndaj Edi, përgatiti operacionin që të sjellë sa më shpejt në Kuvend Plarent Ndrecën, e për t’i dërguar mesazh të gjithë të mërziturve me të, në grupin parlamentar, se kush është modeli i një deputeti që kërkon ai për Partinë Socialiste.
Po kush është Plarent Ndreca?
Një jurist që ka shërbyer si avokat i PS-së para se të vinte në pushtet, e më pas ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në tri ministri të rëndësishme; si ajo e arsimit, e turizmit dhe e brendshmja.
Në ministrinë e Arsimit, merrej me apelin e administratës, aq sa limitonte edhe kohën për të shkuar në tualet. Pasi Lindita nuk i dha asnjë mundësi për të drejtuar stafin jo politik të ministrisë. Më pas shkoi në ministrinë e Turizmit me Blendi Klosin, ku u hëngrën si qentë me ministrin bixhozxhi, derisa ky i fundit i tha Kryeministrit: o unë, o Ndreca… !
Në ministrinë e Brendshme me Sandër Lleshin, si pasojë e mos qënies së gjeneralit një njeri politik, mori në dorë tenderët, sa e gozhduan me akuza thuajse të gjitha mediat e deri te KLSH-ja.
Kur u bë zullumi mullar, Edi Rama e hoqi, dhe e ktheu në një vartës të Endri Fugës për ta dërguar në panelet e darkës. Ku Ndreca mori përsipër të mbronte qeverinë, ngaqë asnjë prej deputetëve të PS-së, apo edhe analistë të njohur proqeveritar nuk e merrnin përsipër.
Madje Ramës ju dërguan mesazhe të shumta nga këta njerëz që kanë edhe miqësi me të, që pak a shumë refuzimi ilustrohej me shprehjen: Po pse hajdutët e tu do të mbrojmë ne?
Këtë e mori përsipër Plarent Ndreca, ngaqë i dukej se po mbronte dhe veten.
Ndërkaq, personi në fjalë nuk është as personazh politik, e as personazh i plotësuar në fushën e vet, të jurisprudencës pra.
Politikisht, Ndreca nuk ka bërë fushatë në vendin e tij të lindjes, në Mirditë, por u dërgua si Komisar politik në Astir e Yzberish, ku ishte edhe kandidat për deputet në qarkun Tiranë.
Impakti i tij në territor ishte thuajse zero, nuk fitoi as auoritet, dhe nuk krijoi një staf për të drejtuar PS-në në atë zonë. U duk me një grup të fortësh ditën e votimit, për të treguar se ai është njeriu që sulltani e ka emëruar ‘çaushogllu’.
Rrinte më 25 prill 2021 në lokalin përballë qendrave të votimit portative të Astirit e Yzberisht me fytyrë të ngrysur, si për të treguar forcë. Por as nuk kishte lidhje me zgjedhësit, socialistët e organizatave apo territorin që mbulonte.
Impakti i rezultatit që PS-ja mori në njësinë 13 e 14 as nuk kishte lidhje me komisarin Ndreca, pasi mazhoranca mori thjesht votat e majta që në atë territor, ku më shumë ka të ardhur nga qarqet e jugut, që nuk janë të afërt me PD-në e me Sali Berishën.
Megjithatë, Ndreca, edhe pse nuk arriti të bëjë karrierë në parti dhe qeveri, i ka qëndruar besnik shefit të tij. Model tipik i një eunuku në politikë, ku vlerësohet më shumë impotenca sesa karizma e një personazhi, aktivisti, intelektuali, apo edhe eksperti në PS.
Që do të thotë se ambicja është shpallur “haram” nga Sulltani, kur realisht ajo është motivi kryesor për një njeri politik, i cili kërkon që aftësitë e tij, t’ia japë publikut për të drejtuar një organizatë, dikaster, apo edhe të jetë në Parlament.
Rama kërkon të japë një mesazh të qartë për të gjithë socialistët që duan karrierë: Doni të bëheni deputetë, duhet të jeni si Plarent Ndreca. Nuk lejohet ambicja për të bërë karrierë, pasi për këtë mendon Babloku…/Pamfleti
Lini një Përgjigje