Le të hanë kokat e njëri-tjetrit, e kanë hak...
Pse SPAK-u po zvarritet këmbadoras, e nuk po i bën dora të firmosë fletë-arrestin për hajdutin e famshëm Ilir Beqja?
Arsyeja është edhe shtypëse, edhe mbytëse.
Vetë Edi Rama, me fjalë artistike, ka përqeshur potencën dhe ekzistencën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion
I vetëm, pa ndihmën e Amerikës e ka krijuar vetë, çka nënkupton se prokurorët janë të detyruar të mos punojnë me kokën e tyre.
Nëse Babloku paska “prerë” kokat e “ushtarëve” të tij në drejtësi, se kështu ka deklaruar botërisht, nëse për statistika dhe simbolika, i zgjedh vetë “kokat” e turkut për formalitete me drejtësinë e tredhur, po kokën e vet, pse nuk e kruan me gisht, e ka me vete apo jo?!
Gjithë fshati e shikon, se Ilir Beqja shëtit çdo ditë me “kokën” e Bablokut në duar.
Po, përbindëshi mizor, shihet si rrezik fatkeqësie për këdo është më i vogël se ai. E për fatin e zi, Beqja është Herkuli i Qeverisë dhe hajdutërisë.
Në mjedisin e xhuxhëve, kushdo i del para, e bën shpatuk, petë bakllavaje. Ka punuar për shumë kohë si zejtari më mirë i Bablokut, ku edhe çirakët kishte aftësi edhe t’i nxjerrë çirak, edhe t’u japë dajak.
Një shtizë ja nguli edhe ish Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Orgeta Manastirliut, për procedurat zyrtare në vjedhjen e qindra milion eurove të koncesionit të sterilizimit, kur ajo ishte vartëse e tij si drejtoreshë e QSUT-së, duke lënë pa fjalë prokurorët e SPAK-ut, që ta themi, janë as mish as peshk, as ata që ecin para, se i u thyen këngën e këmbën, kohën e kokën Herkuli, as ata që bëjnë pas, se i qëllojnë me gurë, si Djallin në Mekë, fshatarët që ende besojnë tek mrekullitë.
Hajduti Ilir Beqja ka tmerruar gjithë fshatin.
Sa herë SPAK-u e thërret, prokurorët bëhen lepuj para tij.
Nuk kemi të bëjmë këtu as me fenomenin decafelia të njeriut me dy kokë, as me gjarpër a shqiponjë, por me një ministër të zakonshëm, që për fat qëlloi një pëllëmbë më i gjatë se Edi Rama dhe e vuri poshtë vetes edhe atë.
Kur Babloku ankohej se trupi i gjatë e pengon të jetë hajdut i famshëm, nuk e ndjente e ka apo jo kokën poshtë kapelës me siglën FBI, se Beqja ja kishte mbërthyer mirë kapistrën dhe e çonte si gomarin në tagji ngado kishte lule e dollarë.
Kruarja e kokës nga njeriu që zihet ngushtë para një centrimi në përgjegjësi, u bë edukatë, që atë ditë kur Babloku e ndjeu se nuk mendon me kokën e vet.
Para Charles McGonigal sillet si kokë-mushkë, para Tony Blair si kokë-tul e para Ilir Beqjes si kokëprerë.
Po, Ilir Beqja, shëtit nëpër fshat me kokën e Edi Ramës në duar.
Kjo është e keqja më e mirë, që ka frymëzuar fshatarët të shkulin hunjtë e kalbur nga heshtja e frika e gardhiqeve të 4 Klaneve Mafioze.
Beqja i zi ka edhe ca njolla të bardha.
Për të mos prishur relatat me Amerikën, nuk e përgjaku fare kasketën, por nga Olimpi i ka prerë kokën Bablokut e me të në dorë i bën presion jo vetëm SPAKUT por edhe ambasadës Amerikane qe nuk guxon te thotë një llaf për qindra milion euro te vjedhura publikisht. Ne dorë mban kokën e Edi Ramës e mbi shpatulla ende kokën e vet.
Për fshatarët është ogur i mirë.
Të tërë le të hanë kokat e njëri-tjetrit, e kanë hak./Pamfleti
Lini një Përgjigje