A është devijimi i çështjes ‘Beleri’ në një precedent diplomatik Athinë-Tiranë, një planifikim perfid i Edi Ramës dhe Qirjako Micotaqisit, të cilët miqësinë mes njëri-tjetrit nuk e kanë rastësi, por pjesë të lobimeve me interesa të përbashkëta.
Ka disa ditë që në Athinë po qarkullojnë plane të tmerrshme për Himarën, që krahasuar me variantin ‘Beleri’, janë një kataklizmë e gjallë.
Ndryshe nga e gjithë historia 110 vjeçare e shtetit shqiptar, kufiri gjeografik i minoritetit etnik grek, jo vetem që po shkon drejt veriut, por po krijon një hapësirë, që nuk është çudi, që nesër Athina të kërkojë një Asocacion të Komunave greke në Shqipëri.
Fenomeni ‘Radojçiç’ po implementohet me shpejtësi në Himarë që është ‘ashti dhe shpatulla’ e Labërisë, siç e ka vizatuar aq bukur poeti Lefter Çipa, apo edhe i madhi i letërsisë shqiptare, Petro Marko.
Prej ditësh, po diskutohet në mënyrë progresive një rrethore emrash për të zëvendësuar Belerin, të cilët që të gjithë janë minoritarë të shpallur si etnikë grekë.
Madje, po flitet për një importim nga Dropulli e zonat e tjera të minoritetit në Himarë, a thua se kemi të bëjmë me një lëvizje automatike. Kur thelbi kushtetues i zgjedhjes së kryebashkiakut të një njësie vendore është qënia e tij si qytetar i atij komuniteti.
Ç’punë ka një dropullit apo finiqiot, zona minoritare këto, në një bashki si Himara, që jo vetëm nuk është minoritare, por është bërthama e rrënjëve kombëtare të identitetit tonë?!
Ky është thjesht një importim i problemit. Që tragjikisht ka edhe një model në Ballkan, e më afër në Kosovë. Ku Milan Radojçiç, një qytetar i Kosovës, i lindur në komunën e Gjakovës, shkon e bëhet jo vetëm qytetar, por edhe lider i serbëve të veriut në Kosovë.
Kërkimi për Radojçicët e Himarës e çon këtë krahinë të vogël dhe me shumicën e popullsisë në emigracion, në një qendër eksperimentale të interesave ekspansioniste të Athinës.
E po ta shohësh në aspektin gjeopolitik, sipas të gjitha gjasave, Greqia synon të krijojë një hapësirë minoritare në jug të vendit, ku në mënyrë të pandarë gjeografikisht janë bashkitë e Himarës, Finiqit dhe Dropullit. Himara kthehet kështu në bashkinë ‘skifter’ ku përqendrohen të gjithë ekstremistët filo-grekë edhe pse nuk kanë asnjë lidhje familjare, gjenetike apo kulturore me Himarën e Labërinë.
Sot po diskutohet për Himarën si zgjidhje pro-greke, ndërkohë që rasti Beleri, në mos gjyqësor është politik, sepse ai nuk ka qenë asnjë ditë një kandidat minoritar, por kandidat i opozitës së vetme të së djathtës që merrte pjesë në zgjedhjet e 14 majit.
Acarimi apo devijimi i çështjes ‘Beleri’ në një precedent diplomatik Athinë-Tiranë, duket se nuk është thjeshtë frut i nervave apo eventeve. Ka shumë gjasa, sipas sinjaleve që kjo çështje sjell, se është një planifikim perfid i Edi Ramës dhe Qirjako Micotaqisit, të cilët miqësinë mes njëri-tjetrit nuk e kanë rastësi, por pjesë e lobimeve të mjeshtrave me interesa të përbashkëta.
Pra, duket se ka një strategji të qartë të Tiranës e Athinës për të implementuar në Himarë, një Mitrovicë të Veriut.
Edi Rama, ndoshta, po themi ndoshta me delikatese, edhe mund ta ketë menduar mirë, për të arritur ndonjë rezultat final pozitiv. Por këtë kurth të qartë, as nuk e ka konsultuar, as e ka diskutuar, e akoma më keq, rrezikon që Himara të kthehet në një tokë e djegur. Një Mitrovicë veriu, ku jo vetëm do të ketë inate e përplasje Athinë -Tiranë, por mund të ketë edhe incidente të ashtuquajtura etnike.
Ç’punë ka Ilir Paço që të shkojë si kandidat apo kryebashkiak i emëruar në Himarë, kur është i lindur në Lushnje dhe ka jetuar në Lushnje e Pire. E ka origjinën nga Palasa? Po, edhe Petro Koçi e ka nga Palasa, edhe Koço Kokëdhima e ka nga Qeparoi; Himara sot është një njësi territoriale e re e Republikës.
E për të qenë korrektë, qytetarët që jetojnë në këtë njësi janë më normalë për të garuar si kryeqytetarë. Mund ta bëjnë këtë edhe të tjerë, por nëse ndodh kjo, atëherë filogrekët e Himarës nuk duhet të përdorin më pallavrat idiote se po vijnë njerëz nga Tirana për të qeverisur Himarën.
Çfarë lidhje kanë dropullitët, apo lushnjarët si Ilir Paço? Ka një gjë këtu, Himara nuk është aspak Mitrovica e Veriut, por përkundrazi ka një bazë më kombëtariste sesa mund të ketë një qoshe e nostalgjive filohelene. E nëse hapet “Kutia e Pandorës”, pra përplasja e “pendëkuqve” e “pendëbluve” në Himarë, përkatësisht shqiptarët me grekët, jo vetëm që nuk mbetet dot një elektorat i Omonias e PBDNJ-së, po sipas të gjitha gjasave, do të kemi një situatë më ekstreme se në 2001, kur në Himarë u krijua koalicioni patriotik PS-PD.
Dhe loja e Ramës, duket këtë synon, të provokojë një vlagë gjoja patriotike si reaksion i marrëveshjes së tij me Athinën. E në fund, kryeministri të nxehet e të bëhet më katolik se Papa.
Kjo, do të sjellë tension edhe më të lartë, ku sipas të gjitha gjasave e parashikimeve, Athina zyrtare do të rrisë përshkallëzimin, e të kërkojë më pas një ngjizje të elementit etnik Himarë, Finiq e Dropull. Dhe pastaj të kërkojë një autonomi e asocacion. Ky realisht është plan, por që mesa po shohim, këtë plan Edi Rama po ja lehtëson mikut të tij Qirjako. Që secili të përdorë kartat atavike në politikën e brendshme se është më patriot se të tjerët./Pamfleti
Lini një Përgjigje