Edi Rama këtë e di dhe po synon që të mos ta zbusë, por ta nxisë që të prodhojë një lëvizje të re, që t’i japë PS, një tjetër mundësi protagonizmi...
Prej dy ditësh Erion Veliaj po shpërndan lajme të takimeve të tij si kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës. Vetëm të djelën, Veliaj shpërndau më shumë se 4 lajme të përgatitura nga stafi i tij, që tregonin qartë një zhvillim të ri në mazhorancë.
Veliaj, nuk ka pritur asnjë minutë lëvizjet e reja të Edi Ramës, për të promovuar Blendi Gonxhen, dhe i ka paraprirë zhvillimet, duke mbledhur strukturat e PS-së jashtë çdo konteksti politik. Pasi nuk ka pasur asnjë mbledhje kryesie të PS-së apo të Asamblesë Kombëtare që të bëjë thirrje që strulturat vendore të nisin betejën elektorale të zgjedhjeve të vitit 2025.
Erion Veliaj, në lajmet e prodhuara nga ai, ka dashur të japë mesazhin se ai nuk mund të garojë më si kryebashkiak i Tiranës, pasi e ka plotësuar limitin ligjor të 3 mandateve, ndaj tani ai do të luftojë për Edi Ramën që të marrë mandatin e katërt. Kur zyrtarisht, Rama në asnjë deklaratë të tij zyrtare nuk e ka deklaruar se do të kërkojë mandatin e tij të katërt.
Ndoshta për PS-në, por nuk ka thënë deri më tani se kërkon që të rrijë kryeministër në një mandat të katërt.
Po pse atëherë Erin Veliaj po del publikisht për ta bërë fakt të kryer drejtimin e PS-së së Tiranës, kur askush nuk ja ka konfirmuar?
Realisht, Erion Veliaj sot është një zyrtar i zgjedhur i mazhorancës që po përjeton mandatin e fundit në krye të bashkisë së Tiranës.
Ndryshe nga Edi Rama, kur në mandatin e tretë kishte kandiduar për kryetar të PS-së, apo Lulzim Basha që në gjysmën e mandatit të tij të vetëm si kryebashkiak i Tiranës ishte lider i PD-së ; Veliaj nuk e di ende çfarë do të bëjë kur të rritet. Sepse jo vetëm nuk ja kanë indikuar, por edhe një pjesë e rëndësishme e mazhorancës nuk e pëlqen.
Edi Rama e di këtë ndaj ka bërë dy lëvizje të forta. Ai ka sjellë në qeveri dy emra të rinj, Blendi Gonxhen dhe Igli Hasanin.
Gonxhe dihet tashmë që është një personazh pranë Edi Ramës, i rritur me të në të gjithë trajektoren politike, ndërkohë që Igli Hasani, ministri i Jashtëm, është një person shumë afër Pandeli Majkos. I cili i ka dhënë teserën e anëtarësisë në PS Erion Veliajt.
Deri pak kohë më parë, Majko ka qenë një njeri i afërt i kryebashkiakut, pasi ka shërbyer si drejtues politik i zonës më të rëndësishme të Tiranës që është njësia 5. Më e populluara dhe që është hambari i votave të PS-së.
Sot, Majko, duket ka lëvizur fort dhe ka indikuar një njeri të afërt me të si përfaqësues politik.
Edhe pse ka pak kohë si ministër i Jashtëm, Igli Hasani po promovohet nga gazetarët e rëndësishëm që janë pro mazhorancës. Kjo ndodh edhe si pasojë e lobimit të njerëzve të fuqishëm pranë partisë socialiste, por duket që edhe vetë Edi Rama po synon promovimin. Sepse qartësisht duket se si Blendi Gonxhe, ashtu edhe Igli Hasani nuk janë thjesht ministra por drejtues politik të PS-së. Të cilët do të marrin zona të rëndësishme, që sot i mbulojnë njerëz të tjerë.
Gonxhe, pritet të marrë drejtimin e qarkut të Tiranës, e kjo është thënë disa herë nga Edi Rama. Madje vetë ministri i ri i Ekonomisë e ka bërë të ditur këtë në një intervistë tek Luan Rama.
Ndaj dhe mbledhjet e improvizuara të dielën dhe lajmet e përhapura të Veliajt në media, janë një sinjal i fortë drejtuar Edi Ramës, për t’i thënë se edhe pse unë nuk bëhem dot kryetar bashkie, do të jem kreu i PS Tiranë. Nuk ka vend këtu për Gonxhen apo Hasanin.
Por kjo është vetëm lëvizja e parë, sepse shumë shpejt do të dalë në skenë “shtriga” e Ramës, gjegjësisht zv. kryeministrja Balluku e cila e shikon Igli Hasanin si kërcënimin e saj në Veri.
Hasani, sipas gjasave do të zërë vendin e Pandeli Majkos si kreu i qarkut Kukës, ku Belinda ka lidhje të forta dhe kërkon që përpos Dibrës të mbajë edhe Kukësin.
Ndryshe ka kërcënuar se do të kërkojë Tiranën. Në këtë ‘gjendje lufte’, nuk është aspak çudi që të tjerët, që nga Taulant Balla, Damian Gjiknuri apo edhe Blendi Klosi, të lënë avancimin e figurave që janë katapultuar.
Jemi realisht në një ‘luftë civile’, e cila sapo ka nisur, por që nuk kthehet më mbrapsht. Edi Rama këtë e di dhe po synon që të mos ta zbusë, por ta nxisë që të prodhojë një lëvizje të re, që t’i japë PS, një tjetër mundësi protagonizmi.
Por e gjitha kjo mund të kthehet edhe në një boomerang, nëse pjesa e pakënaqur i vihet kudër. Ndaj jemi në fillim të një lufte që sapo ka startuar./Pamfleti
Lini një Përgjigje