TAGS-AT E JAVËS

Editorial27 Tetor 2025, 11:50

Në Parlament, asnjëri nuk sheh më larg se hunda e vet

Shkruar nga Gjergj Zefi
Në Parlament, asnjëri nuk sheh më larg se hunda e vet
Gjergj Zefi /

Shqipëria që po ‘vetëvritet’ me heshtje: Kriza demografike që po na shuan kombësinë

Shqipëria po zbehet. Jo metaforikisht, por fizikisht. Popullsia është në rënie të lirë. Censusi i fundit nuk është thjesht statistikë, por akti i parë i funeralit të shpresës: qindra mijë shqiptarë më pak që nga 2011. Në një vend normal, kjo do të ngjallte alarm kombëtar. Në Shqipëri, zyrtarët bëjnë sikur nuk e kanë dëgjuar.

Ndërsa vendet e zhvilluara planifikojnë për plakjen, Shqipëria thjesht sheh veten duke ikur. Nuk lindin më fëmijë, nuk ndërtohen politika për familjen, nuk ka kushte për jetesë dinjitoze. Por çfarë ka? Ka vetëm propagandë. Dhe heshtje.

Politikanët tanë janë më të interesuar për shfaqje, se sa për të kuptuar dramën që po luhet përpara syve të tyre. Ata flasin për "Shqipëri 2030", por nuk na thonë kush do të mbetet këtu atëherë. Politikat e tyre, nëse i quajmë të tilla, po shtyjnë të rinjtë jashtë. Të lodhur, të zhgënjyer dhe të bindur se ky vend nuk ofron më asnjë arsye për të jetuar.

Kjo nuk është më krizë sociale; është kolaps shtetëror. Një vend pa njerëz, nuk është më shtet. Është vetëm një territor i administruar nga një elitë që mban pushtet mbi boshllëkun.

Të dhënat nuk gënjejnë: fertiliteti është në nivelet më të ulëta në histori; zonat rurale janë shndërruar në fantazma; qytetet janë kthyer në stacione kalimtare për ata që presin avionin për t'u larguar.

Përballë kësaj situate, Shqipëria ka nevojë për një strategji demografike kombëtare, jo për spote publicitare. Ka nevojë për politika të guximshme për nënat e reja, për të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën këtu, për rikthimin e diasporës. Ka nevojë për ndershmëri. Dhe për vizion.

Por për sa kohë vendi do të drejtohet nga politikanë që nuk shohin më larg se sa hunda e tyre, Shqipëria do të vazhdojë të humbasë qytetarët e saj; në heshtje, pa zhurmë, si një komb që po vdes ngadalë./Pamfleti

asnjëri nuk sheh më larg se hunda e vet parlamenti gjergj zefi

3 Komente

  1. R
    R

    I nderuar zoti Gjergj Zefi, kam respekt per Ju dhe Pamfletin. E lexoj rregullisht por si dhe ne kete rast me duhet te permend se vizion dhe ndershmeri po manifeston vetem levizja Bashke te ciles dhe ju cuditerisht nuk i kushtoni pothuajse asnje lajm. Thjesht nuk mund ta kuptoj. Megjithate respekte per punen tuaj.

    1. L
      Lexues

      Duke lexuar komentin e mesiperm, dhe une si lexues i rregullt i Pamfletit dhe plotesisht dakort me kete editorual tuajin i bashkohem pyetjes me siper. Pse nuk i jepni hapesire Levizjes Bashke kur duket e vetmja qe ka plan serioz per te bere shtet social?

      1. F
        Feti Dema

        Të nderuar! Editorialisti desh e humbi kokën nga krimi i organizuar , mu në mes të ditës dhe për shak të detyrës që kryen. Nuk mjafton ta lexosh 'Pamfletin', por edhe të kuptosh që 'Pamfleti' është portal e jo gazetë, nga këto të stazhionuarat në shërbim të pushtetit e të oligarkisë. 'Pamfleti' nuk po bën avokatinë e qeverisë, bile as të opozitës. 'Pamfleti' ka investiguar, ka mbledh dhe ka bërë transparente me dhjetra e dhjetra denoncime për bëmat e pothuajse gjithë ministrave të qeverisë ,ish qeverisë, mafies rajonale dhe ndërkombëtare. Atë që të gjitha gazetat e kohës së bashku nuk e kanë bërë për 35 vjet. Lëvizja Bashkë dhe çdo parti tjetër e re, nuk duhet 'të çojë shishen e qumështit" te dera e 'Pamfletit', sepse nesër mund të jenë vetë të zgjedhurit e saj në pushtet që do vëzhgohen dhe denoncohen nga 'Pamfleti' . Kreditet e çdo partie të re, rriten ose ulen në varësi të veprimeve politike, angazhimeve për kauzat qytetare dhe për shtetndërtim. Nuk ka shtet social, kur nuk ka 'Shtet'.

        Lini një Përgjigje