
Në vend që t’i vendosë kufij agresorit, Trump u kërkon viktimave të ndalojnë së mbrojturi…
Nëse kishte ndonjë dyshim se kujt i shërben Donald Trump në skakierën ndërkombëtare, këtë javë ai e fshiu përfundimisht.
Tre javë pas një takimi të zhurmshëm dhe krejtësisht të padobishëm me Vladimir Putinin në Alaskë, presidenti amerikan e hodhi ‘topin’ në fushën e Europës, jo për t’i kërkuar më shumë ndihmë për Ukrainën, por për ta fajësuar atë në ngecjen e procesit të paqes.
Ndërsa Putin vazhdon të zvarrisë “afatet” për një marrëveshje që nuk ka ndër mend ta firmosë, Trump jo vetëm që refuzon të marrë masa ndëshkuese, por e thotë hapur se “do të jemi të lumtur ose jo, këtë do e shohim”. Kjo është diplomacia e njeriut që dikur pretendonte se dinte “si të ta ndalte luftën”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në përpjekjen e tij të përditshme për të mbajtur perëndimin zgjuar, u përshi në një telefonatë me Trump dhe liderët europianë. Ai foli për sanksione ndaj Rusisë dhe presion ekonomik ndaj makinerisë së luftës së Putinit. Trump, nga ana tjetër, i kërkoi europianëve të ndalojnë blerjen e naftës ruse dhe të vendosin sanksione ndaj Kinës, një mënyrë brilante për të larguar vëmendjen nga vetja, ndërkohë që i mban sanksionet reale të ngrira në sirtar.
Në këtë teatër diplomatik, Putin vetëm që nuk falënderoi publikisht Trump-in. Uashingtoni zyrtar po shmang konfrontimin direkt me Kremlinin, ndërsa fajëson kontinentin që po mban barrën më të rëndë të luftës: me refugjatë, ndihmë ushtarake dhe kosto ekonomike.
Ironia është se Trump e sheh Europën si pengesë për paqen, kur në fakt është ajo që po përpiqet të shpëtojë çfarë ka mbetur nga rendi ndërkombëtar.
Kjo nuk është më retorikë e paqëndrueshme. Është bashkëpunim i heshtur me agresorin. Është rehabilitim politik për Putinin nga njeriu që pretendon se “askush nuk ka qenë më i ashpër me Rusinë”. Po e vërteta, cila është?
Trump është i ashpër me europianët, i butë me autokratët dhe gjithmonë në kërkim të dikujt tjetër për të fajësuar.
Në mandatin e rikthimit, Trump nuk po ndërton paqen. Po ndërton një alibi për të shpëtuar Putinin nga përgjegjësia historike. Dhe për këtë, ai nuk ka nevojë të bëjë shumë; mjafton të fajësojë Europën, të ngrejë supet dhe të thotë: “Nëse nuk jemi të kënaqur me vendimin e tij, do të shihni çfarë do të ndodhë.”
Kjo është gjuha e një njeriu që ose nuk e kupton luftën, ose e përdor atë si monedhë për të rikthyer aleancat të errëta. Dhe Putini, më i qetë se kurrë, e di mirë këtë./Pamfleti
Shënim: Спасибо, Дональд!*- Faleminderit Donald!
Lini një Përgjigje