
Në kohën kur diktaturat bashkohen për të sfiduar Perëndimin, Serbia përqafohet me Lindjen, BE përgjumet dhe Shqipëria nuk arrin të përcaktojë as fjalorin diplomatik...
Më 4 shtator 2025, në Pekin, u shënua një moment që do të kujtohet si pikë kthese në rivalitetin global për dominim.
Kina organizoi një paradë ushtarake madhështore, më të madhen e dekadës, ku morën pjesë liderët më sfidues të rendit ndërkombëtar aktual: Vladimir Putin, Kim Jong-un dhe nikoqiri Xi Jinping.
Me uniforma, tanke, raketa dhe fjalime të ngarkuara me retorikë anti-perëndimore, ky spektakël ushtarak u pasua nga samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Tianjin, që i dha ngjarjes përmasa të qarta strategjike.
Në dukje një event ceremonial, në thelb një mesazh i ftohtë për Perëndimin: bota është në prag të një epoke të re, me aksin Pekin-Moskë-Pjongjang që po tenton të rrëzojë rendin liberal ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA dhe NATO.
Në këtë skenar global, Ballkani nuk është thjesht një vëzhgues periferik, por një zonë frontale ku përplasja mes vlerave demokratike dhe interesave autoritare po thellohet.
Serbia, e pranishme në samit përmes presidentit Vuçiç, vazhdon të luajë rolin e "kalit të Trojës" në zemër të Evropës, duke ecur paralelisht me marrëdhëniet me BE-në dhe aleancat me Moskën e Pekinin.
Serbia, e cila nuk e ka lodhur veten me sanksione ndaj Rusisë, shkon në Pekin, përqafohet me Xi-në, përshëndetet me Putinin dhe i dërgon sinjale BE-së se “ne jemi për dialog dhe paqe”, ndërsa blen drone nga Kina dhe hedh themelet për gazsjellës me Rusinë. Kjo quhet diplomaci me tri porta: një për Perëndimin, një për Lindjen, dhe një për interesat të ngushta personale. Ballkani është kampion në këtë disiplinë. Kjo sjellje, e toleruar në heshtje nga Brukseli dhe me shumë kujdes nga Uashingtoni, rrezikon të shpërbëjë gjithë arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Ngjarjet në Kinë janë shenja të qarta të formimit të një blloku autoritar, që përveç forcës ushtarake, po ndërton edhe rrjete bashkëpunimi ekonomik dhe teknologjik, duke përfshirë investime në inteligjencë artificiale, bankë zhvillimi të re, dhe narrativë të unifikuar kundër "hegjemoneve" të Perëndimit.
Në këtë përballje gjeopolitike, vendet e vogla janë ato që goditen të parat. Dhe Ballkani, me plagët e pazhdukura të historisë dhe polarizimet e reja etnike e fetare, bëhet objekt i preferuar për ndikim kinez, rus, iranian, dhe çdo fuqie tjetër që kërkon të thellojë përçarjet dhe të minojë projektin europian.
Në këtë atmosferë, Shqipëria duhet të dalë nga roli i spektatorit. Me pozicionin e saj strategjik, anëtare e NATO-s dhe në negociata me BE-në, ajo ka detyrimin historik të artikulojë një doktrinë të qartë sigurie për Ballkanin. Mjaft më me politika reaktive. Duhet diplomaci e avancuar, ndërtim kapacitetesh inteligjente, mbrojtje kibernetike të përforcuar dhe aleanca reale me vende të tjera euroatlantike që ndajnë të njëjtat rreziqe. Heshtja strategjike nuk është më opsion. Sepse në skakierën globale që po riformësohet, ata që nuk lëvizin, eliminohen.
Nga ana tjetër, Evropa duhet të zgjohet nga iluzioni i një stabiliteti ireal. Rendin e ri nuk po e shkruajnë më vetëm diplomacia dhe tregtia, por tanket dhe mesazhet e koduara të liderëve autoritarë. Dhe në këtë tekst të ri global, Ballkani është në faqe e parë. Pyetja nuk është më nëse do të ketë ndikim, por kush do ta kontrollojë atë./Pamfleti
Lini një Përgjigje