
Shqipëria ngec në fund të listës për BE, por kryeministri mbetet i pari në artin e propagandës…
Eurobarometri i fundit nuk është thjesht një sondazh; është radhë pritjeje para ambasadës së BE-së ku Shqipëria, me kartonin e kuq të korrupsionit, qëndron gjithmonë tek “shkalla e fundit”.
Ndërsa Edi Rama, me fjalimet e tij prej piktori, na e ka shitur për një dekadë “vizionin europian”, realiteti është se Europa nuk e blen më mallin e tij të dale boje.
Shifrat janë të pamëshirshme: vetëm 48 % e italianëve, fqinjët që na kanë duruar më shumë se çdokush tjetër, mendojnë se Shqipëria meriton hyrjen në BE. Pjesa tjetër e kontinentit na sheh si “eksportues të korrupsionit dhe të rinisë së ikur”, jo si vend kandidat serioz.
Ndërkohë Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut marrin përqindje që Shqipëria nuk i sheh as në ëndërra. Pra, jo vetëm që jemi të fundit, por jemi bërë edhe shembulli se si nuk mund të integrohesh.
Rama do dalë e do na thotë se ky është “faj i perceptimit” dhe se shqiptarët duhen vlerësuar për entuziazmin e tyre. Po ç’na duhet entuziazmi ynë kur Europa na sheh si fshatin e prapambetur që nuk arrin të pastrojë as oborrin e vet?
Për çdo vetting që premtoi, u hap një tjetër dosje korrupsioni; për çdo reformë drejtësie, një tjetër tender publik për miqtë dhe oligarkët.
BE-ja nuk ka nevojë për fjalime me metafora boshe, por për shtet që funksionon, gjë që Rama nuk e ofron dot, sepse ai vetë është produkti i këtij kaosi.
Në vend që të ishte kryeministri që do e bënte Shqipërinë “histori suksesi”, Rama do të mbahet mend si kryepiktori i zhgënjimit europian: njeriu që e la vendin në rënie të lirë, që dekoroi fasadat, por shkatërroi themelin e shtetit.
Ndërsa Mali i Zi e Bosnja marshojnë drejt Brukselit, Shqipëria e Ramës ngec te kolonat e betonit, duke pritur ndonjë mrekulli nga qielli.
Në fund, Rama e ka bërë Shqipërinë si ato pikturat e tij kubiste: shumë ngjyra, shumë zhurmë, por asnjë kuptim. Dhe Europa, ndryshe nga ne, nuk ka më durim për këtë ekspozitë pa fund./Pamfleti

Lini një Përgjigje