
India dhe Kina ribashkohen në samitin e Tianjin-it, duke përmbysur logjikën e vjetër të aleancave globale, një mesazh i qartë edhe për Ballkanin, që s’duhet të rrijë më në rresht…
Ngjarjet në Tianjin nuk janë thjesht një tregim aziatik, por një faqe e re në librin global të pushtetit, që do të lexohet me zë të lartë edhe në Ballkan.
India dhe Kina, dy nga shtyllat e rendit të ri multipolar, po kalojnë nga përplasja në përqafim diplomatik, të ndihmuara paradoksalisht nga Trump, njeriu që me arrogancën e tij po thyen jo vetëm aleancat e vjetra, por edhe iluzionet e dominimit perëndimor.
Kjo përplasje titanësh nuk është as e largët dhe as e pakuptimtë për ne. Ajo është sinjali i një realiteti të ri që po troket në portat tona, ndërsa Ballkani rri ende i ulur në oborrin e një Evrope të drobitur dhe një Perëndimi gjithnjë e më të përçarë.
Në këtë kontekst, metafora popullore “dreka e dhisë”, që zakonisht përdoret për të përshkruar një aleancë të pamundur apo një përpjekje naive për t’u shtruar në tryezën e të mëdhenjve, merr kuptim të ri.
Në Tianjin, duket se “dreka e dhisë” jo vetëm që nuk u refuzua, por i shijoi Elefantit, simbolit të Indisë. E thënë më thjeshtë: ajo që dikur shihej si marrëzi; afrimi me Kinën dhe anashkalimi i Perëndimit, sot po bëhet zgjedhje strategjike e arsyetuar dhe e mirëmenduar.
Nëse India, me gjithë peshen e saj demografike, ushtarake dhe ekonomike, po e ndien nevojën për të ndërruar orbitën strategjike, çfarë duhet të mendojnë vendet e vogla si Shqipëria?
Deri më sot, Tirana ka ndjekur me përkushtim rrugën euro-atlantike, shpesh me një devotshmëri më të madhe sesa vetë qendrat e aleancës. Por ajo që ndodh përtej Oqeanit, siç është divorci i heshtur SHBA–Indi apo afria e re Kinë–Indi, ka pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë, ekonominë dhe peshën diplomatike të rajonit tonë. Mbi të gjitha, e nxjerr zbuluar një të vërtetë të pakëndshme: se në një rend botëror që po zhvendoset drejt lindjes dhe jugut global, Ballkani rrezikon të mbetet si një skaj i periferisë perëndimore, i pavendosur, i paintegruar dhe i pavlerësuar.
Në këtë realitet të ri, Tirana, Prishtina, Shkupi e madje edhe Beogradi duhet të ndërtojnë politika të jashtme që nuk janë thjesht deklarative, por strategjike.
Ballkani duhet të mësojë të negociojë, jo vetëm të presë. Të zgjedhë kur duhet të heshtë dhe kur duhet të flasë. Dhe mbi të gjitha, të kuptojë se shanset e reja nuk vijnë vetëm nga Brukseli apo Uashingtoni. Tregjet e mëdha, investimet e fuqishme dhe ndikimi gjeopolitik janë në lëvizje, dhe kush nuk lëviz, mbetet prapa.
India që përqafoi Kinën nuk është një tradhti ndaj Perëndimit, por një akt sovraniteti strategjik. Ballkani, në vend që të druhet nga ky transformim, duhet të mësojë prej tij. Se ndryshe, do të jetë vetëm spektator në një botë që nuk pret më askënd./Pamfleti
Lini një Përgjigje