
Parada e Pekinit bashkon liderët më represivë të botës: Serbia në krah të lindjes autoritare...
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ndodhet sërish në një situatë ku zgjedhjet e tij simbolike dhe diplomatike përputhen më shumë me logjikën e autokracive lindore sesa me kursin e shpallur drejt Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrja e paralajmëruar e Vuçiç në paradën ushtarake që do të mbahet më 3 shtator në Pekin, me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka evidentuar edhe një herë preferencat reale të regjimit serb.
Në këtë ngjarje, përveç Vuçiçit, pritet të marrin pjesë edhe liderë të njohur autoritarë si Kim Jong Un i Koresë së Veriut, Vladimir Putin i Rusisë dhe Aleksandr Lukashenko i Bjellorusisë.
Ky rreshtim simbolik, që përkon me një ngjarje të rëndësishme në axhendën gjeopolitike të Kinës, ka vlerë më të madhe sesa një vizitë ceremoniale: është një deklaratë pozicionimi.
Vuçiç është i vetëdijshëm për pasojat që mbart pjesëmarrja në një event ku dominojnë figurat më represive të skenës ndërkombëtare.
Kim Jong Un përfaqëson një nga regjimet më të mbyllura dhe brutalë në botë; Vladimir Putin është në mes të një lufte agresioni në Ukrainë që ka bashkuar Perëndimin kundër tij, ndërsa Lukashenko mban mbi supe legjitimitetin e kontestuar të një pushteti që mbahet vetëm me represion.
Nëse një lider demokratik merr pjesë në një ngjarje ku ndodhen këto figura, ai dërgon mesazh të qartë se i përket një bote tjetër nga ajo që shpall në platformat zyrtare të politikës së jashtme.
Për Serbinë, ky nuk është një incident diplomatik i izoluar, por pjesë e një modeli të qëndrueshëm politik që ripozicionon vendin si pjesë e një blloku informal autokratësh që ndajnë jo vetëm interesa të përbashkëta gjeopolitike, por edhe metoda sundimi.
Nëse për Kinën kjo është një mënyrë për të afirmuar rendin e ri shumëpolar ku ajo merr rolin e lokomotivës, për Vuçiçin është një hap i matur dhe i kalkuluar për të mbajtur ekuilibrin mes Brukselit dhe boshtit Pekin–Moskë. Por ky ekuilibër është gjithnjë e më i vështirë për t'u menaxhuar, veçanërisht kur Brukseli kërkon sinjale të qarta politike për progresin në procesin e integrimit.
Në të vërtetë, Vuçiç ndodhet në një pozitë të favorshme për të shantazhuar Perëndimin me luhatjen mes dy kampeve. Ai ka ndërtuar një regjim që imiton modelin putinian: kontroll të plotë mbi mediat, opozitë të dobësuar, ndërlidhje të forta me oligarkinë ekonomike, përdorim i shpeshtë i retorikës nacionaliste dhe manovrim i qëllimshëm i krizave rajonale për të ruajtur pushtetin e brendshëm.
Në këtë kontekst, shfaqja e tij pranë Kim Jong Unit nuk është një devijim protokollar, por një pasqyrim i natyrshëm i orientimit të tij politik real.
Për rajonin e Ballkanit, dhe veçanërisht për shqiptarët, ky zhvillim është një sinjal alarmi. Një Serbi që afrohet me regjime represive, është gjithmonë një Serbi që kërkon të forcojë kapacitetin për të kontrolluar jo vetëm popullin e saj, por edhe për të ushtruar ndikim rajonal në mënyrë të pakompromis. Ajo gjithashtu vë në rrezik stabilitetin e Kosovës, ku tensionet nxisin nacionalizëm të brendshëm dhe justifikojnë represionin.
Serbia e Vuçiçit, që shfaqet përkrah Putinit, Lukashenkos dhe Kim Jong Unit, nuk është partner për paqe apo integrim, por një pjesë organike e një blloku global që sfidon rendin liberal dhe demokratik./Pamfleti
Lini një Përgjigje