TAGS-AT E JAVËS

Editorial 1 Shtator 2025, 13:47

KLP si lozhë masonësh

Shkruar nga Pamfleti
KLP si lozhë masonësh
Këshilli i Lartë i Prokurorisë /

Vendimi për shkarkimin e kreut të BKH u mor në errësirë, duke i dhënë drejtësisë së re imazhin e një lozhe të mbyllur dhe duke minuar besimin e publikut…

Reforma në Drejtësi në Shqipëri ka pasur si synim kryesor dhënien fund të pandëshkueshmërisë përmes largimit të strukturave të kontrolluara nga subjektet që i frikësohen ligjit.

Institucionet më të rëndësishme të drejtësisë së re janë Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK), Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka gjithashtu rol kyç pasi merret me emërimin dhe shkarkimin e ekipeve në SPAK dhe BKH.

Këto institucione kanë kompetencën që të hetojnë posaçërisht zyrtarët e lartë dhe krerët e krimit të organizuar, pra njerëzit me më shumë pushtet dhe para në vend.

Për këtë arsye pritshmëritë e qytetarëve ndaj tyre janë shumë të larta dhe çdo vendim, hetim apo arrest shihet me kujdes të madh, shpesh nën lupën e publikut përtej çdo interpretimi mediatik të shtrembëruar.

Ndryshe nga qeveria, këto institucione nuk menaxhojnë buxhet, por kanë në dorë ndëshkimin e atyre që abuzojnë me paratë e taksapaguesve. Prandaj drejtësia e re duhet të jetë e ndryshme nga politika e vjetër, jo të trashëgojë metodat obskure të saj.

Në këtë kuptim, mënyra si u vendos për shkarkimin e kreut të BKH-së, Aida Hajnaj, përbën një shembull sesi një institucion i drejtësisë së re nuk duhet të funksionojë.

Çështja nuk është tek fakti që Hajnaj nuk vijoi një mandat të dytë, por tek mungesa e transparencës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ky vendim u perceptua si i ndikuar apo i diktuar nga interesa të caktuara, duke lënë hapësirë për dyshime. KLP duhet të kishte garantuar një proces të hapur dhe të pastër, duke shpjeguar publikisht si u mor vendimi dhe pse.

Vendimet që merren si brenda një lozhe të mbyllur masonësh e cënojnë besimin e publikut dhe krijojnë përshtypjen se drejtësia e re po ndjek shembullin e politikës së vjetër.

Nëse Aida Hajnaj duhej të largohej, duhej të kishte pasur menjëherë një proces transparent për zgjedhjen e drejtuesit të ri. Çdo mungesë transparence i jep të drejtë akuzave të atyre që janë subjekt i hetimeve dhe e shndërron vendimmarrjen ligjore në pazar politik.

KLP nuk duhet të lejojë që vendimet të interpretohen si të diktuara nga SPAK apo nga grupe të interesuara, por të bëjë të qartë se çdo hap i tij është i argumentuar dhe i hapur për publikun.

KLP nuk është një fron mbretëror, por një organ qeverisjeje i cili duhet të japë shembullin e transparencës dhe llogaridhënies. Deri tani nuk e ka bërë këtë, duke minuar sërish besimin e qytetarëve tek drejtësia e re./Pamfleti

klp lozhë masonësh

Lini një Përgjigje

Editorial