TAGS-AT E JAVËS

Editorial 2 Shtator 2025, 09:50

Një autokrat në rrugën 'Pennsylvania'

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Një autokrat në rrugën 'Pennsylvania'
Donald Trump /

Nga Rose Garden te dosja Epstein, nga ndalimi i votës me postë te përdorimi i Gardës Kombëtare; Donald Trump, shtet brenda shtetit dhe askush s’po e ndal...

Në një Amerikë ku njëherë e një kohë presidentët përuleshin para kushtetutës, sot sundon një njeri që thotë publikisht: “Unë kam të drejtë të bëj çfarë të dua. Jam presidenti i Shteteve të Bashkuara.” Dhe për fat të keq, po e bën.

Donald Trump nuk është më thjesht një figurë e polarizuar politike, ai është kthyer në një fenomen autoritar, dhe çdo ditë që kalon, ngjan gjithnjë e më pak me një udhëheqës të zgjedhur.

E gjitha kjo, ndërkohë që dekoron Shtëpinë e Bardhë me ballkone prej miliona dollarësh, shkel mbi simbolikat si Rose Garden, dhe vendos të sjellë trupa të armatosur në rrugët e Washington DC si në një regjim ushtarak i Amerikës Latine së viteve ’70.

Por përtej fasadës estetike që maskon etjen për pushtet të pakufizuar, në prapaskenë luhet një betejë e errët.

Dosja e famshme Epstein, e cila rëndon mbi shumë figura të larta, është rikthyer në qendër të vëmendjes jo për drejtësi, por për manipulim.

Zëvendësprokurori i Trump viziton personalisht Ghislaine Maxwell në burg, publikohet një dëshmi e saj që shpëton Trump-in, dhe më pas ajo transferohet në një burg më “të butë”, si në një marrëveshje të heshtur, ku drejtësia nuk është më as e verbër, as e pavarur, por një instrument në dorën e pushtetit. Kjo është më shumë sesa korrupsion institucional, është prova që Trump nuk synon më thjesht të mbijetojë politikisht, por të pastrojë të shkuarën e vet dhe të sigurojë të ardhmen me çdo çmim.

Përballë kësaj, Partia Demokratike më në fund po jep shenja jete.

Gavin Newsom dhe JB Pritzker po përpiqen të ndalojnë përplasjen totale, duke sfiduar publikisht Trump-in dhe duke rezistuar ndaj planit të tij për të federalizuar policinë, për të dërguar trupa në qytetet “demokrate” dhe për të ndaluar votimin me postë.

Por problemi qëndron se, edhe nëse demokratët protestojnë, s’kanë fuqinë të ndalojnë një president që kontrollon mekanizmat kyç të shtetit; drejtësinë, ushtrinë, dhe narrativën publike përmes rrjeteve sociale dhe medieve që ka nën kontroll.

Trump ka shndërruar çdo krizë në një mundësi për të zgjatur pushtetin: shpall ndihma emergjente për të bllokuar Kongresin, kërcënon me mbyllje të qeverisë nëse nuk aprovohet buxheti i tij dhe akuzon Obamën për tradhti kombëtare pa asnjë provë.

Në çdo vend tjetër, kjo do të përkufizohej si sjellje diktatoriale. Por në Amerikë, media e polarizuar dhe një elektorat i lodhur nga lufta politike, vazhdojnë ta pranojnë këtë si “politikë të ashpër”.

Në horizont, po vjen një tjetër përplasje: zgjedhjet e 2026. Trump tashmë po përgatitet për të kontestuar çdo rezultat që nuk i shkon për shtat. Po planifikon një urdhër ekzekutiv për të ndaluar votën me postë dhe për të detyruar identifikimin fizik të votuesve; një shkelje flagrante e kompetencave federale. Ky është i njëjti skenar që ndodhi në 2020, por këtë herë me më shumë fuqi dhe më pak kundërshtime nga republikanët që dikur e refuzuan. Tani, shumë prej tyre janë ose të heshtur, ose bashkëpunëtorë aktivë.

Ajo që ndodh sot në Amerikë nuk është thjesht krizë politike, është një transformim i plotë i rendit demokratik në një regjim personalist, ku forca, frika dhe manipulimi zëvendësojnë konsensusin, ligjin dhe transparencën.

Dhe ajo që është më e rrezikshme, është fakti se në botë s’ka më një Amerikë tjetër për të mbrojtur demokracinë. Nëse bie Uashingtoni, bie edhe mburoja morale e Perëndimit.

Në një kohë kur Europa është e përçarë, Rusia agresive dhe Kina në ngritje, çmimi i këtij devijimi autokratik në zemër të botës së lirë do të jetë i jashtëzakonshëm. Dhe Ballkani, me gjithë fragjilitetin e vet historik dhe institucional, do të jetë ndër të parët që do ta ndjejë. Sepse nëse Trump shkatërron demokracinë amerikane, kush do ta ruajë më demokracinë tonë?/Pamfleti

një autokrat në rrugën pennsylvania

Lini një Përgjigje

Editorial