Të kruhet e zbukurohet Saliu, nuk e beson akush…
Sali Berisha, në fund të rrugës së vet, i ka ka zënë rrugën demokracisë. Grindjet mes grindavecëve, nëpër gërrellat e honet e korrupsionit, as japin sinjal se do bëjnë sus Edi Ramën në turrin e tij drejt turrës së druve ku do të piqen hajdutët, as lëshojnë shenja që Amerika do të pendohet e të thotë; gabuan Babloku, Kimetja, Neza e MccGonigal dhe i duhet hequr ‘Non- Grata’, pasi po, ky e mban më me hijeshi në kokë taskijen e qëndisur me susme simpatike.
Të kruhet e zbukurohet Saliu, nuk e beson akush.
Pasi e zhdëpën, zhubruan e zhulosën si pijanec në mjegull të avujve të krimeve të tij, McGonigal, Yuri Kim dhe Babloku, ky nuk bëhet kurrë më esëll.
I dehur nga kasaphana në fshatin kasaba, askush nuk e ka kasavet, përveç Sulltanit të Surrelit që ende po e mban si susak, për t’u dhënë ujë gomarëve të vet, që i ka lëshuar laverda arave të fshatit.
Ena prej kungulli mban veç dallavere.
Shtypësi që ka shtypur e thërrmuar në thërrmijëza liritë e të drejtat njerëzore, thërret akoma si i ndërkryer ndërkombëtarët, për t’u futur ndërkëmbëza kuajve që i mblidhen për natë në gjollë të kripës.
Kriku, kriskull prej eshtrash, nuk ngre më pesha të rënda, edhe pse bagëtitë kanë nevojë që pasi lëpijnë rrasat e kripura, të peshohen për gjendjen mendore, që me nder me thënë, thjesht po përdoren si pafta për jelekun me thekë arab të Bablokut abat.
I mbyllur si murg në abaci, e vetmja bubullimë që ja shpon daullen e veshit, është thirrja që vjen nga Olimpi, stop Sali!/Pamfleti
Lini një Përgjigje