Drejtësisë i janë spanuar vidhat, që kur Babloku hoqi nga koka kapelën e FBI-së e vari në gjoks stemën e SPAK-ut...
Hajdutët tanë kanë qenë të mëshirshëm. Në 33 vjet, na kanë ngrënë mishin, por na kanë lënë kockat. Nga mbeturinat e eshtrave nën lëkurë të korrupsionit, u krijua në inkubator të diplomates Yuri Kim, një tip kopaneci i mbështjellë me shpërgënj, dhe u pagëzua si SPAK-u i Altin Dumanit.
Besimtarët, që gjithmonë ishin prerë në besë, ndërruan “fe”.
Si falanikë simpatikë, e lanë pas të shkuarën e nisën t’i bien kavallit në një vrimë. Kjo është relikja më e bukur, e krijuar nga një lëneshë që ua di kimetin plagëve që shkel koha.
Trajtesa për një sjellje të moralshme të drejtësisë, nuk mund të mbahej në trashtinë e rrobave luksoze, por që në pubertet, duhej reklamuar në ndonjë mandall që e shohin të gjithë.
Dërrasat e kalbura ku kishte thyer këmbën e majtë Shefi i FBI-së Charles McGonigal, nuk kishin vend, pasi po riparonin radiovalët e veta shërbimet amerikane, prandaj ambasadorja Kim, duhej të ripermendej, që të mos ripërkëmbej ky SPAK, që pse ta fshehim, për Edi Ramën është si kupa pa kapak.
Kapani i Bablokut po peshon keq.
Hajdutët e mëdhenj peshojnë lehtë. Drejtësisë i janë spanuar vidhat, që kur Babloku hoqi nga koka kapelën e FBI-së e vari në gjoks stemën e SPAK-ut.
Qyta e vetme që e mbron nga shqyerjet Bablokun, e ka lënë të lirë të stërkatet në fushnajën ku luajnë kala dibrançe mafiozët.
Por pak më tej, aty ku kriminelëve u rrëshqet toka nën këmbë, ka tokëzim për antenën që shfaq në ekran të trurit të tjera sekuenca.
Fshatarët plot mosbesim, ende e shohin SPAK-un si relike të Yuri Kim, të varur në qafë të Edi Ramës!/Pamfleti
Lini një Përgjigje