TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë19 Shkurt 2024, 09:41

‘Hajmali’ për syrin e keq!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

‘Hajmali’ për syrin e keq!
Ambasadorja Yuri Kim /

Në testament të vullnetit antiamerikan, të tërë mbajnë hajmali, që të mbrohen nga drejtësia...

 Ambasadoren Yuri Kim, ende të gjithë e mbajnë si ‘hajmali’.

Hajvanët bëjnë hajgare hapur, se me ‘hajmalinë’ që u ka dhënë Babloku, mbrohen nga fatkeqësitë e senatorëve të Amerikës, pasi ata, po kërcënojnë të keqen e sistemit të tyre, me shkuljen e rrënjëve të mafies në fshatin tonë.

Këta që sitin nga dy hajdutë të vegjël në muaj, thithin sisë nga dy gjokset e sistemit çdo ditë.

Majtas e djathtas qajnë e përjargen vetëm për qumësht.

Edi Rama e shtrëngon “hajmalinë” në zemër, Sali Berisha e nxjerr në dritare të katit të tetë, Ilir Meta e Erion Veliaj e varin në qafë, që ta shohë mirë Altin Dumani, e kështu 4 Klanet mafioze përqafojnë parimet e të parit me sy të lirë, duke ja lënë doçin në derë sistemit të pa shpjegueshëm.

Meqë nuk kemi ambasador amerikan, dhe, siç e kemi thënë që para një viti, ngjan të mos kemi deri në administratën e re të Shtëpisë së Bardhë, secili hajdut ndjen rrezik prej secilit hajdut.

Simptoma e sëmundjes, sipas simpoziumit rreth fateve të demokracisë të ligjvënësve republikanë në Amerikë, druhej se do të shfaqej edhe në si-motrën a si-vëllain e Yuri Kim, që ka lënë këtyre sinorëve shumë tym.

Nëpër gazra, avuj e blozë, si hajati pa tavan i bosëve, u bënë bozë gjithë kurba e mafies, që në fakt, kanë bashkëpunuar për të penguar demokracinë.

Mos i besoni asnjërit, të gjithë e njihnin McGonigalin, por secili e lëpinte tjetrin deri në lug të kurrizit, se dollarët nga djersa e shqiptarëve, andej kalonin, nëpër suka të errëta.

Zhurmat nga Amerika humbin në hapësirë.

Nuk bëri fare lajm as dënimi me burg i Shefit të FBI-së Charles McGonigal, as biznesi i tij me kryeministrin për puset e naftës dhe blerjen e izolimit të opozitës, as pazaret mafioze me Erion Veliajn tek përfitimet e pista të inceneratorëve, madje as vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, që na e “dekoroi” krye hajdutin tonë, e na tha, mbajeni që t’ju rrjepë, se për ne është amvisë artistike e relikeve relative të epokës sorosiane.

Përkohësisht, shqiptarët nuk po kuptojnë as shqipërisht!

Hajdutët, vrapojnë e takojnë Altin Dumanin si miku mikun, për të sheshuar kodrat e korrupsionit, për të larguar sa më shumë rreziqet e për të ruajtur çifligun.

Ata të Edi Ramë janë trimëruar e blinduar.

Vjedhin e kurv*rojnë, e po i pe shtrembër, edhe vrasin.

Pasuritë dhe liritë i kanë lidhur prej kohesh në magji.   

Çdo mblesëri është simetri.

Veç fondeve publike që vidhen ditën për diell, edhe shpopullimi i Shqipërisë është bërë biznes.

Shërbimet zbuluan se ashtu siç kishte deklaruar kryeministri dhe kishim shkruar në vazhdimësi ne, patronazhistët falsifikonin dokumente e pajisnin me viza dhjetëra persona në ditë, për të mos u kthyer më këtej.

Ne e kemi thënë që para dy vitesh, se me 10 000 euro, vizat i bëjnë të sigurta, se fijet e mafies ishin nëpër sportele e modalitete, ndërsa cilitdo që denonconte mafien, refuzohej.

Me kaçakët tanë, kanë mbushur fytakët e tyre.

Largojnë shqiptarët e bëjnë dëng valixhet diplomatike me dollarë.

Llapin vetëm se janë llupës, por të gjithë janë bashkë.

Edhe hajvanët e opozitës bëjnë hajgare poshtë penxheres së Saliut, por drejtësia nuk u ofrohet dot, apo jemi gabim?!

Jo mor jo, të gjithë shohin mirë.

Në testament të vullnetit antiamerikan, të tërë mbajnë hajmali, që të mbrohen nga drejtësia./Pamfleti

hajmali syri i keq yuri kim

Lini një Përgjigje

Dosja e zezë