Të korruptuarve ka filluar t’u dalë në ëndërr Sekretari Amerikan i Shtetit...
Ardhja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka shqetësuar klasën politike shqiptare. Edhe pse po vjen një personalitet kaq i lartë në vend, duket sikur nuk ka gëzim. Dikur Sali Berisha e priti Hillary Clinton me këngë e valle, por ardhja e Blinken i ka shqetësuar të gjithë, nga vetë Edi Rama, te Berisha, Meta dhe gjithë të tjerët.
Së pari ka një mister mbi arsyet reale të vizitës dhe nuk dihet ende zyrtarisht axhenda e takimeve. Do takojë Ramën dhe Dumanin, por nuk ka asnjë orar se kur do të vijë dhe kur do të zhvillohen takimet. Mesa shihet është një vizitë më tepër sesa duket. Sot në mbrëmje do të jetë ambasadorja Yuri Kim që do të japë detaje. Ajo do të zhvillojë një bisedë online me disa gazetarë shqiptarë dhe pritet që të qartësohen gjërat.
Nga ana tjetër, nëse shohim reagimet e klasës politike, duket se të gjithë janë në ankth. Edi Rama doli me vrap e bëri një status të gjatë pak ditë më parë, ku i krihet bishtin Sekretarit të Shteti dhe tentonte të tregonte se Shqipëria ka lulëzuar gjatë qeverisjes së tij.
Nga ana tjetër, deputetët e PS janë munduar ta shesin vizitën e tij si mbështetje për ta, por që në fakt nuk është ashtu. Te qendrimet e gjithësecilit ka një lloj pasigurie se përse po vjen Blinken dhe çne që ai do takojë Altin Dumanin. Rama ka një dosje sensitive në SPAK. Më 16 shkurt mbahet gjyqi për McGonigal dhe Blinken vjen një ditë para. Nuk është çudi që të flitet me Dumanin edhe për këtë dosje.
Më i shqetësuari padyshim është Sali Berisha. Mediat pranë tij janë hedhur në sulm ndaj Blinken, teksa të gjithë deputetët e PD kanë vendosur ta shmangin. Një media që njihet si e familjes Berisha nuk ka lënë gjë pa thënë për Blinken. Po ashtu dhe anëtarë të Rithemelimit e kanë sulmuar, duke treguar se ardhja e tij i ka trembur. Blinken ishte ai që shpalli të padëshiruar Berishën dhe me gjasë ai do t'i japë mbështetje SPAK-ut që të mos trembet përballë ish-kryeministrit, por t’u shkojë deri në fund hetimeve.
Sot për herë të parë u prononcua edhe Ilir Meta, i cili tentoi t’ia ulte vlerat kësaj vizite. Sipas tij, është një vizitë normale dhe nuk ka asnjë surprizë.
''Mendoj se ardhja e Sekretarit të Shtetit është tashmë diçka normale në marrëdhëniet midis dy vendeve tona duke patur parasysh vizitat e shpeshta, që nga koha e Sekretarit Baker e deri te vizita më e fundit e zotit Kerry, duke përmendur këtu Znj. Clinton, Znj. Albright, Z. Powell dhe shumë Sekretarë të tjerë shteti, që kanë vizituar Tiranën, të cilët e kanë shfrytëzuar Tiranën edhe për iniciativa shumë të rëndësishme siç ishte rasti i nënshkrimit të Kartës së Adriatikut gjatë vizitës së Sekretarit Powell në Tiranë me Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Kroacisë në një proces historik, i cili u përmbyll me anëtarësimin e këtyre vendeve në NATO”, tha Meta.
Pra duket se dhe Meta nuk është fare entuziast dhe sinjalet janë se edhe ai ka hallin e drejtësisë. Blinken me takimin që do të zhvillojë me Dumanin jep mesazhin e qartë se amerikanët mbështesin SPAK të godasë këdo. Edhe Meta ka disa dosje të hapura dhe frika është se mos ndoshta Blinken vjen e jep ultimatum që të nxitohet me hetimet për të korruptuarit dhe Meta është i pari që rrezikon të përfundojë pas hekurave.
Zhvillimet mbetet të shihen në ditët në vijim, por Meta, Rama, Berisha e shumë të tjerë këto ditë është e sigurt se shohin ëndrra me Blinkenin. /Pamfleti
Lini një Përgjigje