TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë23 Maj 2026, 12:31

Sali Berisha kopjon ‘mot à mot’ Edi Ramën e 2016-ës, kur thirri referendum kundër Ben Blushit

Shkruar nga Pamfleti

 Sali Berisha kopjon ‘mot à mot’ Edi Ramën e

Ashtu si Rama në vitin 2016 kundër Ben Blushit, edhe Berisha po përdor sot “referendumin farsë kundër rivalëve” për të maskuar mungesën e garës reale brenda partisë...

Parodia e Sali Berishës, që po e quan zgjedhjen e tij si kandidat pa garë, një “referendum për kryetarin”, nuk është aspak ide e doktorit dhe aq më pak e kokave të ‘zgjuara’ rreth tij.

Është thjesht ‘copy-paste’ e marrë nga Edi Rama.

Ky i fundit, në prill të vitit 2016, thirri një referendum për të konfirmuar veten, pasi u sfidua publikisht nga Ben Blushi.

Thuajse e njëjta formë dhe e njëjta përmbajtje.

Pasi Blushi i kërkoi Edi Ramës të dilte para anëtarëve në një garë për kryetar, sipas parimit “një anëtar, një votë”, Rama refuzoi, duke thënë se ai ishte votuar si kryeministër.

Por kjo nuk ngjiti dhe atëherë ai shpiku referendumin, që në fakt nuk ishte aspak i tillë.

Një referendum nuk mbahet për individë, por për çështje apo kauza. Për individë ka vetëm zgjedhje. Dhe nuk mund të quhen zgjedhje, nëse nuk ka përballje.

Në vitin 2016, përkatësisht më 9 prill, Edi Rama përdori të gjithë makinën e tij të propagandës për ta paraqitur atë ngjarje si epokale.

Mediat pranë tij shkruanin: “Për herë të parë në historinë e pluralizmit në Shqipëri, një parti politike zhvillon një referendum për çështjet e saj të brendshme”.

Natyrisht që ishte për herë të parë. Por ishte edhe një ‘budallallëk me brirë’, që nuk kishte lidhje me realitetin politik.

As liderët autoritarë, e jo më diktatorë, nuk sajojnë idiotizma të tilla. Ata bëjnë zgjedhje, të cilat nuk janë të lira, të ndershme apo konkurruese, ku çdo aktor i rëndësishëm ose eliminohet politikisht, ose asgjësohet në forma të tjera.

Por jo farsa të tilla që ngjajnë me shfaqje amatore.

Në atë kohë u tha se 81 mijë anëtarë të PS-së ishin thirrur në referendum, por në të vërtetë nuk morën pjesë as 30 mijë. Shifra reale u mbajt e fshehur dhe më pas Edi Rama nuk e përmendi më kurrë.

Mbajtja e atij referendumi, nismë e Edi Ramës, u vendos nga Kongresi i PS-së për të shuar sherrnajën që përfshiu këtë forcë politike pas debateve të forta të krijuara nga deputeti Ben Blushi, i cili kërkonte zgjedhje për postin e kryetarit të partisë.

Duke votuar nga Surreli, Edi Rama deklaroi atëherë:

“Dua të them se kjo është hera e parë, por nuk është e fundit që ne do të përdorim edhe referendumin për të zgjeruar hapësirat e pjesëmarrjes dhe aksesin në vendimmarrje të çdo anëtari dhe anëtareje të partisë sonë, në një proces që është me rëndësi të veçantë, pasi PS është rihapur, po zgjerohet dita-ditës dhe po rritet me anëtarë të rinj.

Kemi sot një trupë të ripërtërirë dhe pothuajse pa fiktivitet, pasi kemi bërë një betejë kundër anëtarësisë fiktive dhe vazhdojmë të punojmë për objektivin që, në 25-vjetorin e lindjes së PS-së, të numërojë 150 mijë anëtarë brenda dhe jashtë Shqipërisë”.

Po ta shohësh atë që po ndodh sot dhe në vend të Edi Ramës të vëmë Sali Berishën, duket se kemi jo vetëm të njëjtën formë, por edhe të njëjtat fjalë.

Sikur njerëzit e kuzhinës mediatike të doktorit punojnë në Kryeministri.

Nuk është ndonjë çudi, jo./Pamfleti

 

berisha kopjon ramën referendum kundër rivalëve

2 Komente

  1. S
    Sefer Daja

    E keni paksa gabim ju te Pamfletit. Si Edi Rama dhe Sali Berisha, referendumin e kane te trasheguar nga udheheqesi tyre shpirteror Enver Hoxha.

    1. K
      Koha

      Ripjellja e Berishve me ndihmën e ramutve

      Lini një Përgjigje