Faqen e bardhë të kombit më proamerikan, e nxin kryeministri me mafien e vet dhe faqen e zezë të qeverisjes më hajdute në botë, e “pastron” mafia me kryeministrin e saj.
Kur shikoj që gjithë shërbimet inteligjente të perëndimit po kërkojnë kryemafiozin global që sundon nga Ballkani për ta arrestuar, mbushem me frymë shprese, e nesërmja nuk do i ngjajë as të djeshmes as të sotmes; kur dëgjoj se pas çdo skandali del emri i kryeministrit tim dhe drejtësia nuk guxon as ta thërrasë, fryhem me frymë frike, e nesërmja s’do të ndryshojë.
Po ju që lexoni, si ndiheni?
Apo jeni në fund të pusit e heshtja është fryma e fundit?!
Aso kohe, kur nëpër të çarat e errëta, shërbimet amerikane kërkuan me qiri në dorë kush i kishte prerë kokën FBI-së, u ndjeva mirë, por, sapo u zbulua se Edi Rama ka blerë dhe përdorur Charles McGonigal, keq.
Po ju?
Ju, normalisht që nuk e besonit se ato një miliard eurot e dyshimta që kërkonin mediat italiane, do të zbuloheshin në fibrat artificiale të marrëveshjes Rama-Meloni për strehimin emigrantëve në Lezhë.
Lesheli, pra të ngatërruara keq, kemi jo vetëm pasuritë, por edhe të drejtat e liritë.
Lirishtave të livadhisjes, sa herë ngulim një “kunj” në internet për të lidhur krymafiozin, na vjen i njëjti emër.
Provojeni edhe ju, shfaqet Edi Rama apo jo?!
Po ç’bën SPAK-u, pse paguhet, pse nuk e lidh në kunjin e drejtësisë, kur ai jeton në çdo dosje krimi?!
Apo shfajësimi është fryma e fundit edhe për prokurorët dhe hetuesit me pasuri të bardha mbi dheun e zi të kopshtit të Edenit?!
Këtej, Parajsa dhe Ferri, janë në të njëjtin fshat.
Prandaj ka kaq shumë shtyrje e rrëmujë në derë të SPAK-ut dhe Djajtë që janë më të fortë ende jetojnë në Parajsë e të ndershmit në Ferr.
Shën Dumani ka shumë punë, nëse don ta mbyllë misionin me faqe të bardhë.
Po, ky është ekuacioni.
Faqen e bardhë të kombit më proamerikan, e nxin kryeministri me mafien e vet dhe faqen e zezë të qeverisjes më hajdute në botë, e “pastron” mafia me kryeministrin e saj./Pamfleti
Lini një Përgjigje