Klodian Braho ka përpara një test të vetëm që nuk fshihet dot pas procedurave: a do ta zbatojë realisht parimin “follow the money”, duke ndjekur rrjedhën e parave nga droga, korrupsioni, bastet ilegale dhe call center-at mashtrues deri te ndërtimi, apo paraja e pistë do të vazhdojë të ngjitet me kate, nën mbrojtjen e pushtetit...?
Sektori i ndërtimit në Shqipëri nuk lëviz më nga nevoja për strehim, nga rritja e popullsisë apo nga kërkesa reale e tregut, por nga para që kërkojnë të humbin origjinën, të zhdukin gjurmët dhe të shndërrohen në pasuri të paluajtshme, sepse betoni përthith shuma të mëdha dhe i kthen shpejt në pronë të ligjshme, të regjistruar dhe të mbrojtur.
Në dy vitet e fundit, shteti ka dhënë dhjetëra leje për kulla dhe qindra leje për objekte mbi tetë kate, ndërkohë që pagat, kreditimi bankar, kursimet dhe ekonomia formale nuk i afrohen kapitalit që kërkon ky volum ndërtimi, duke krijuar një hendek brutal mes asaj që deklarohet dhe asaj që ndërtohet, hendek që nuk e mbush tregu, por para pa burim të ligjshëm.
Paratë e drogës nuk ruhen në errësirë dhe nuk qarkullojnë jashtë sistemit, por kërkojnë sektorë që i thithin shpejt dhe i kthejnë në pasuri të dukshme, dhe ndërtimi e kryen këtë funksion në mënyrë të plotë përmes blerjes së truallit, miratimit administrativ, faturimit të punimeve, nënkontraktimeve fiktive dhe shitjes së apartamenteve, duke e shpërndarë paranë kriminale në një zinxhir dokumentesh që e bën origjinën të padukshme.
Korrupsioni, nga ana tjetër e ushqen këtë mekanizëm, sepse ryshfetet, tenderët e fryrë, kontratat e manipuluara dhe vendimet administrative të shitura nuk mbahen cash dhe nuk fshihen në llogari anonime, por derdhen në projekte ndërtimi që i japin pasurisë një alibi ligjore, duke e shndërruar pushtetin në bashkëfinancues të betonit.
Bastet ilegale dhe lojërat e fatit të palicencuara prodhojnë çdo ditë qarkullim të lartë cash, pa faturë dhe pa kontroll, dhe ndërtimi shërben si porta më e lehtë për ta futur këtë para në ekonomi përmes blerjes së apartamenteve, financimit të projekteve ose përdorimit të kompanive ndërtuese si lavatriçe financiare.
Në të njëjtën skemë hyn edhe fenomeni i call center-ave mashtrues, të cilët prodhojnë çdo ditë flukse të mëdha cash nga mashtrime financiare ndërkombëtare, kripto-skema dhe investime fiktive, para që nuk mund të qëndrojnë gjatë në qarkullim informal dhe që përfundojnë shpejt në pasuri të paluajtshme përmes ndërmjetësve, blerjeve të apartamenteve, financimit të projekteve ndërtimi ose përdorimit të kompanive guaskë, duke e lidhur drejtpërdrejt mashtrimin digjital me betonin dhe duke shtuar një burim tjetër të qartë të parasë së pistë që kërkon hetim financiar serioz.
Këtyre u shtohen kontrabanda, evazioni fiskal dhe aktivitetet e tjera kriminale që nuk kërkojnë struktura të sofistikuara për t’u pastruar, sepse mjafton një leje ndërtimi, një kompani guaskë dhe një seri transaksionesh që askush nuk i ndjek deri në fund, duke e kthyer ndërtimin në sektorin më të mbrojtur të parasë së paligjshme.
Problemi nuk qëndron te ekzistenca e kullave si objekte urbane, por te fakti se ato funksionojnë si instrument financiar për pastrimin e parave, ku askush nuk kërkon llogari për burimin e fondeve, për përputhjen mes investimeve dhe bilanceve, për përdorimin e parasë cash dhe për arsyen pse shuma kaq të mëdha lëvizin pa lënë gjurmë.
Në këtë realitet, drejtimi i Klodjan Brahos në krye të SPAK nuk matet me deklarata dhe as me platforma të shkruara bukur, por me një fakt të thjeshtë dhe të dukshëm, nëse do të preken apo jo ndërtimet që sot funksionojnë si strehë e sigurt për paratë e drogës, korrupsionit, basteve ilegale dhe kontrabandes, sepse kush hyn realisht në ndërtim hyn automatikisht në zemrën e ekonomisë kriminale.
Mjafton një kërkim i thjeshtë në media për të gjetur indicie për qindra raste ku ndërtimi shfaqet si pikë takimi e parave të dyshimta, projekte me kosto që nuk përputhen me bilancet, kompani pa histori financiare që marrin leje për kulla, shitje apartamentesh që nuk justifikohen me të ardhurat e blerësve dhe zinxhirë pronësie që ndryshojnë shpejt për të humbur gjurmët, indicie që janë publike, të dokumentuara dhe të përsëritura, por që rrallë shndërrohen në hetime të plota financiare.
Nuk ka nevojë për premtime dhe as për mesazhe politike, sepse provat janë aty, të hapura dhe të lexueshme për këdo që kërkon, dhe ajo që pritet nga SPAK nën drejtimin e Klodjan Brahos është vetëm një gjë konkrete, që këto indicie të mos mbeten në sirtarë, por të kthehen në dosje penale që prekin burimin e parasë dhe jo vetëm sipërfaqen e betonit. /Pamfleti
Kush dreqin ua jep keto mend me kaq llogari te imta baske me bankat. Po vete Anglia pse nuk kapet te hetoje Tony Blair qe perdoret si agjensi konsulence ligjore mbi te gjitha edhe per normativat e BEs. Se fundja njerez jane gjithandej qe firmosin flasin shkruajne e kalojne, pavaresisht se ca dëmi lene pas
Igli! Sepse Toni Bler është rrobaqepsi që preu, qepi dhe i veshi 'kostumin politik' qeverisë të rilindjes të Edi Ramës.