TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë10 Dhjetor 2025, 12:55

Rozafa Tower, kulla 35-katëshe që sinjalizon shtrirjen e pastrimit të parave në kryeqendrën e Veriut

Shkruar nga Pamfleti

Ndërtimi i kullës 35-katëshe “Rozafa Tower” në qendër të Shkodrës përfaqëson një devijim flagrant nga plani urbanistik vendor, shkelje të hapura të pronësisë mbi truallin dhe një mungesë të plotë transparence mbi burimin e financimit. Përtej këtyre shkeljeve, projekti sinjalizon zgjerimin e pastrimit të parave edhe në kryeqendrën e veriut, sepse në Shqipëri kullat janë kthyer në simbolin e parasë së zezë...

Rozafa Tower, kulla 35-katëshe që sinjalizon shtrirjen e pastrimit
Foto Ilustruese

Ndërtimi i një kulle 35-katëshe në zemër të Shkodrës, i promovuar me emrin 'Rozafa Tower', nuk është një investim i zakonshëm në një qytet me strukturë historike dhe planifikim të përcaktuar qartë. Ky projekt përfaqëson një devijim të qëllimshëm nga rregullat ligjore dhe institucionale, dhe është shembulli konkret se si pushteti vendor dhe institucionet që duhet të garantojnë zbatimin e planifikimit urbanistik, në vend që të veprojnë si filtër, bëhen pjesë e procesit përmes heshtjes ose miratimit të heshtur.

Sipas Planit të Përgjithshëm Vendor të miratuar nga Bashkia Shkodër në vitin 2017, zona ku është parashikuar ndërtimi i kësaj kulle lejon ndërtime jo më të larta se 29.8 metra dhe jo më shumë se 7 kate. Ky plan nuk është ndryshuar dhe nuk ka asnjë vendim, asnjë konsultim publik dhe asnjë procedurë të regjistruar që të shpjegojë se si një objekt 35-katësh është miratuar në një zonë ku vetë Bashkia ka vendosur kritere të tjera.

Më problematike është mënyra si ka vepruar kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Në vend që të mbrojë qytetin, ai ka zgjedhur të shfaqet në promovimin e projektit si zë mbështetës, duke folur për investime strategjike dhe nevoja të reja urbane, ndërkohë që në komunikimet zyrtare deklaron se Bashkia nuk ka dijeni për asnjë aplikim dhe nuk është pjesë e procedurës së miratimit. Ky dualizëm nuk është gabim por zgjedhje politike për të mos mbajtur përgjegjësi, ndërkohë që e lejon procesin të ecë përpara.

Trualli ku është projektuar kjo kullë është pronë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, siç e kanë konfirmuar dy vendime të formës së prerë, një nga Gjykata Kushtetuese dhe një nga Gjykata e Lartë. Bëhet fjalë për tokë vakëf, me status të mbrojtur, që nuk mund të tjetërsohet për interesa tregtare dhe nuk mund të jepet për veprimtari ndërtimore private pa ndërhyrje të posaçme ligjore dhe pa një procedurë transparente. Megjithatë, ky fakt nuk është përmendur në asnjë nga dokumentet që kanë shoqëruar avancimin e projektit. Institucionet vendosën të mos e verifikojnë këtë pronësi, të mos e përfshijnë në analizat e tyre ligjore dhe të mos respektojnë kufizimet që ajo imponon. Ajo që fillimisht u shfaq si rezistencë e qartë nga Komuniteti Mysliman, u zbeh menjëherë pas një takimi të deklaruar publikisht mes drejtuesve të këtij institucioni dhe kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Pas atij takimi nuk pati më asnjë qëndrim zyrtar nga komuniteti, nuk u kërkuan më sqarime ligjore për fatin e pronës dhe nuk u bë asnjë përpjekje për të mbrojtur vendimet gjyqësore ekzistuese.

Bilanci financiar i “Rozafa A” sh.p.k. tregon se kompania zhvillon aktivitet dhe mban pasuri të konsiderueshme, por shifrat nuk përputhen me kapacitetin që kërkon ndërtimi i një kulle shumëkatëshe. Asetet totale luhaten nga 6.1 milionë euro në vitin 2023 në rreth 5 milionë euro në vitin 2024, ndërkohë që vetëm projekti i kullës kërkon të paktën 30 deri në 40 milionë euro financim. Rritja e mjeteve monetare me mbi 130 milionë lekë brenda një viti, ulja e stoqeve të objekteve të mbajtura për shitje me 137 milionë lekë pa shfaqur të ardhura përkatëse, si dhe zhdukja e mbi 120 milionë lekëve të arkëtueshme nga viti 2023 në 2024, krijojnë një tablo ku lëvizjet financiare nuk shpjegohen nga aktiviteti i deklaruar i kompanisë. Ky kontrast i fortë midis shifrave dhe realitetit të tregut tregon se kompania, pavarësisht se funksionon dhe raporton pasuri, nuk ka burimet e nevojshme për të mbajtur një projekt ndërtimi të kësaj shkalle dhe se pjesa më e madhe e lëvizjeve financiare nuk pasqyron transaksione normale të biznesit.

Gjatë të njëjtës periudhë, detyrimet afatshkurtra të “Rozafa A” arrijnë deri në 4 deri në 5 milionë euro, por në pasqyrat financiare mungojnë të dhënat për interesat e kredive dhe marrëveshjet e financimit që do të justifikonin këtë nivel borxhi. Kapitali i vet i kompanisë mbetet minimal, vetëm rreth 180 mijë euro, gjë që tregon se financimi real i projektit nuk buron nga vetë shoqëria. Mospërputhjet e mëdha midis aseteve, të ardhurave dhe flukseve të parave krijojnë një model tipik që ndeshet në skemat e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit, ku shuma të mëdha paraqiten në bilanc pa burim të qartë ekonomik dhe pa lidhje me qarkullimin real të kompanisë. Në këtë rast, struktura financiare e "Rozafa A" nuk arrin të japë një shpjegim të besueshëm për mënyrën se si do të financohej një projekt shumëkatësh, duke ngritur dyshime të arsyeshme mbi origjinën e fondeve që lidhen me këtë ndërmarrje.

Ndërtimi i kësaj kulle në zemër të Shkodrës është sinjali më i pastër se pastrimi i parave ka hyrë zyrtarisht në fazën e shtrirjes së plotë territoriale. Ajo që për vite të tëra po ndodh në Tiranë dhe në të gjithë vijën bregdetare, tani ka hyrë edhe në kryeqendrën historike të veriut, me bekimin e Edi Ramës dhe me miratimin e heshtur të pushtetit vendor. Leja për këtë kullë është një ftesë publike për rrjetet kriminale financiare dhe bosët e kokainës që kërkojnë mënyra të sigurta për të injektuar paratë e pista në ekonominë formale. Qyteti nuk përballet më me një ndërtim që sfidon estetikën apo planin urban. Përballet me një model që zhduk dallimin mes investimit dhe pastrimit të parave. Dhe nëse kjo hapje e portës nuk ndalet këtu, Shkodra do të humbasë jo vetëm siluetën, por edhe kontrollin mbi territorin e vet. /Pamfleti

 

rozafa tower kulla shkodër

3 Komente

  1. V
    Vjollca

    Shum e perpiket , perveç pastrimit te parave duan te shkaterrojne dhe arkitekturen e shkodres dhe te vjedhin token e pronarit si komunistet. Jane xhahile te pameshirshem..

    1. M
      Mona

      Komunistet nuk i kan zhduk hartat por keto katila ja kalun edhe enverit duke zhduk e tjetersu pronat e pronarve te vertete. Moa pacin jeten e gjate

    2. L
      Leverkusen

      Mos u boni merak ska me pas sukses se kto bojn lek me jetu bodrume, sinduhet shpia aty se vriten mes veti.

      Lini një Përgjigje