TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Nëntor 2025, 11:00

Klerikët e “kalifatit”: Anatomia e islamistëve publikë shqiptarë

Shkruar nga Pamfleti
Klerikët e “kalifatit”: Anatomia e islamistëve
Benet Beci dhe Muhamet Sytari /

Një protestë për një pronë në qendër të qytetit u kthye në përplasje politike, duke nxjerrë në pah rrezikun e ndërhyrjes së autoritetit fetar në vendimmarrjen publike dhe tensionin e ri mes traditës shqiptare të klerit iluminist dhe mendësive të importuara që kërkojnë rol politik përtej misionit shpirtëror...

Këtë javë u bë lajm kombëtar një protestë inteligjente e myftiut të Shkodrës, Muhamed Sytari, në lidhje me një pronë që Komuniteti Musliman e pretendon aty ku po ngrihet kulla “Rozafa”.
Bëhet fjalë për vendin ku është ndërtuar hoteli ikonik i qytetit, “Turizmi i famshëm”, pronë e shtetit në komunizëm, të cilin, së bashku me truallin, qeveria e Aleksandër Mesit, përkatësisht pushteti i PD-së, ua dha 40 familjeve si pjesë e fondit për kompensim pronësor.

Këtë vendim e kanë kundërshtuar për vite tre subjekte në Shkodër: familja e njohur Laçaj, Komuniteti Musliman dhe Kisha Ortodokse, të cilat pretendojnë se kanë pjesë të pronësisë në atë zonë.
Pronarët që e morën me vendim nga qeveria ia shitën një sipërmarrësi, i cili sot administron pronën dhe është pjesë e investimit për kullën e lartë.

Në këtë mjedis, myftiu i Shkodrës ka nisur një betejë me autoritetet e shtetit, duke ndaluar investimet e bashkisë në një tjetër zonë, aty ku ndodhet një xhami dhe një qendër sociale.
Situata solli një betejë mediatike, një takim të kryebashkiakut Benet Beci me kryemyftiun Sytari dhe shumë vëmendje publike.

Në fund, protagonisti i çështjes, mbrojtësi i kauzës, myftiu Sytari, pas daljes nga takimi me kryebashkiakun u soll si një celebritet, duke mos dhënë komente, por duke bërë të ditur se kauza që ai përfaqëson, vijon.
Në realitet, në një qytet si Shkodra, u duk sikur u takua përfaqësuesi i pushtetit, pra kryebashkiaku Beci i mazhorancës, me kreun e “opozitës”, që në këtë rast është një klerik.

Ky rast përfaqëson një zhvillim jo të ri, pasi myftiu nuk e ka nisur sot betejën e tij për të qenë një pushtet në Shkodër.
Një pushtet që mund të vendosë apo kundërshtojë se kujt i përket një pronë, si duhet trajtuar një trashëgimi historike e kulturore e qytetit, apo si duhet vendosur për një investim publik.
Gjë që e bën politika, pra një subjekt i zgjedhur nga qytetarët, e jo një zyrtar religjioz që zgjidhet apo emërohet nga një ent apo nga një grup i ngushtë i një komuniteti fetar.

Njihet kundërshtimi i myftiut në fjalë ndaj një objekti të antikuar në Kalanë e Shkodrës, e cila ka qenë Kisha e Shën Stefanit gjatë periudhës veneciane dhe ka shërbyer si e tillë edhe gjatë periudhave të sundimit të Perandorisë Serbe në trojet shqiptare.
Por që në kohën e pushtimit osman u kthye në një xhami, e cila pushoi së qeni e tillë në periudhën e krijimit të shtetit shqiptar dhe në kohën e regjimit komunist.

Në një situatë të tillë, në vende që përbëjnë rëndësi kombëtare dhe ku ka homogjenitet religjioz, është shteti që ka administruar veprat e trashëgimisë.
Në Itali, për shembull, nuk është Vatikani që administron vendet mitike të trashëgimisë kulturore të Bell Paese, por shteti italian.
Takimi midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane në Romë u zhvillua në një nga vendet mitike të trashëgimisë kulturore, Villa Doria Pamphili. Pronë që ka qenë e një familjeje të pasur gjenoveze, e afërt me Papën, përkatësisht zyrtar i lartë i tij.

Por këtë muze magjik të artit e ka marrë në dorë dhe e administron shteti italian, i cili aty pret miqtë nga jashtë, ku u tregon forcën e kulturës dhe fuqinë shpirtërore të këtij vendi.

Me fjalë të tjera, nuk mund të jetë një myfti ai që përcakton se kujt i përket një vlerë publike e kombëtare, edhe sikur ai të jetë një historian i mirëfilltë apo ekspert i trashëgimisë.
Atë e vendos pushteti i zgjedhur me vota. Por kjo është njëra anë.

Ana tjetër e medaljes është se normalisht nuk i takon një kleriku të merret me çështjet politike e të shtetit.
Klerikët merren me jetën shpirtërore të besimtarëve të tyre, punët e faltoreve dhe të grigjës. Natyrisht edhe hoxhallarët e priftërinjtë kanë të drejtë të kenë mendime për çështje shtetërore. Por këto çështje i ngrenë në adresimin e një njeriu të fesë, duke mos u bërë palë pushteti, por pjesë e shtyllës shpirtërore të shoqërisë.

Papa i Romës, për shembull, është protagonist në public, edhe pse është kryetar shteti, në çështjet që lidhen me paqen, e jo me tregtinë globale apo shkëmbimet territoriale.

Në traditën tonë, klerikët më të spikatur kanë qenë iluministë, luftëtarë të të drejtave të atdheut e jo protagonistë të përplasjes sociale.
Hafiz Ali Korça, një nga njerëzit më të iluminuar të qytetit, ishte në realitet një nga më të pasurit nga trashëgimia familjare. Por gjithë pasurinë ia vuri në dispozicion kauzës kombëtare, Rilindjes, shkrimit të librave, shkollave të gjuhës shqipe etj.

Në periudhat e para të shtetit shqiptar, shumë klerikë shërbyen si deputetë, prefektë apo kryetarë bashkish, sepse ishin figurat më përbashkuese të komuniteteve. Ata kurrë nuk bënë luftë kundër të tjerëve, por menaxhuan krizat e mëdha për të ndihmuar njerëzit.

Klerikët e parë të pas vitit ’90 patën më të fortë nervin e misionarit, por më pas, kryesisht ata të arsimuar në shkollat arabe, erdhën me mendësi të tjera: mendësi që i jep të drejtë një kleriku të flasë me logjikën e Al-Aksës, të cilën e konsiderojnë të tyre, dhe të nxisin sakrifica për ta mbrojtur për ta marrë.
Klerikë që udhëheqin beteja linçimi ndaj intelektualëve, siç po bëjnë me Ben Blushin.

I cili sot, përveçse më i famshëm, është bërë edhe më i mallkuari, thjesht sepse ka farkëtuar në letërsi mendimin e tij.
Këta klerikë nuk kanë pushtetin e ajatollahëve që nxjerrin fatva ndaj Salman Rushdi, apo të sheikëve që drejtojnë organizata terroriste dhe urdhërojnë asgjësimin e intelektualëve e gazetarëve. Por, nëse do ta kishin, do ta bënin. Sepse po e bëjnë edhe sot.

E gjithë narrativa ndaj Ben Blushit, bazuar në ligjet e vendit, është një gjuhë urrejtjeje, e cila dënohet edhe penalisht. Por gjithsesi ata e bëjnë. Edhe pse e shohin se askush nuk ua vërshëllen nga publiku, komuniteti apo besimtarët, të cilët nuk duan urrejtje, dhunë e mallkime.

Por këta klerikë nuk kanë lidhje me xhematin real, por me atë virtual, të cilit i shërbejnë; që të kthejnë Shqipërinë në një mjedis ku kërkohet rikthimi i kalifateve të dikurshme, qoftë abaside, qoftë osmane apo persiana, sipas “stinës së financimeve” që vijnë lumë.
Madje, në kohët e fundit, inteligjenca e NATO-s ka zbuluar se shumë media sociale të fshehura pas idesë islame janë të gjeneruara nga Rusia dhe Kina.

Por kjo, meriton një trajtim më vete…/Pamfleti

klerikët e kalifatit anatomia e islamistëve ben blushi

5 Komente

  1. D
    Drita

    Ne rralle te pare myftiu i shkodres Haxhi Muhamet Sytari nuk merret me politike . Toka qe eshte zaptuar nuk eshte e tij personalisht por e te gjithe myslimaneve shkodrane.Ka vendime te formes se prere qe ajo toke i takon muslimaneve Shkodrane dhe nuk mund ta gezoje tjeter kush se gjaja e huj nuk bahet e jotja as me kene musliman as me kene katolik.Provokimi qe po i bahet myslimaneve me kujtoj vitet 1946 e me vone ne luften kunder klerit ne shkoder sidomos atij katolik.Interesat e nje grupi qe nuk e njohin strukturen e qytetit dhe japim mend apo edhe ma keq informojne gabim ne qoftese nuk i tregohet vendi ku te rrine do te sjellin pasoja per te gjithe .Shkodra eshte e te gjitheve islame te krishtere dhe ateista ,ama shkodra di ti tregoje sejcilit sa vlen.Hoxha i nderuar Muhamet Sytari nuk merret me politike se po te merrej do ti nxjrrte nga politika shumicen e atyre qe jane sot. Ky shkrin nuk eshte shkruar nga nje shkodran se nuk mund te harroje kaq shpejt .

    1. M
      Malo

      Respekte Drita????

    2. D
      Drita

      A mund ta publikoni pergjigjen qe nisa ju lutem,

      1. T
        Tony

        O kolera medhenj që nuk hiqni dore nga sherret e pislliqet.

        1. B
          Bravo Pamfleti

          Toka eshte vakëf, dhe nuk i perket policisë kriminale të Shkodres të ndërhyjë, as aty as në oborret e kishave. Në të vërtetë polidhija duhet të çmontojë bandat e Dobraçit, Kirasit, Skenderbegut, e Urës së Thive, e të mos krijpjë probleme ary ku nuk ka. Më tej, të hetojë dokumentacionin dhe financimin e Grataçilës 40 katëshe që Zotëri Rama ka aprovuar për Uldedajn në qender të një qyteti 80 mijë banorësh.

          Lini një Përgjigje