TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 1 Korrik 2023, 14:41

Gërdeci, afera e CEZ dhe kompleksi “Partizani” u harruan/ Kuvendi i pakënaqur me SPAK, thirrje Dumanit të hapë dosjet e vjetra

Shkruar nga Pamfleti
Gërdeci, afera e CEZ dhe kompleksi “Partizani” u harruan/
Altin Dumani gjatë raportimit në Kuvend

Rezoluta vjen në një kohë kur SPAK po godet vetëm majtas. Si duket socialistët i kanë dërguar mesazh Dumanit që të shikojë dhe dosjet që kanë vite që presin të hapen...

Prokuroria e Posaçme, vijon të mos mbushë pritshmëritë që kishte në momentin që u krijua. Ky organ u formua për të shkuar tek të paprekshmit, por deri tani steka e SPAK ka qenë te nivelet e ulëta.

Ka shumë çështje të vjetra që ende nuk po marrin zgjidhje. “21 Janari” u kthye në “ping pong” mes SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës. Gërdeci është po ashtu një çështje që ka mbetur në ajër. Fatmir Mediu u dërgua për gjykim vetëm për shpërdorim detyre, ndërkohë që hetimet sa i takon trafikut të fishekëve kanë ngecur. Po ashtu disa dosje të tjera si ajo e CEZ apo Kompleksit Partizani nuk kanë asnjë zhvillim.

Për këtë arsye Kuvendi i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme që të fokusohet te dosjet me interes të veçantë publik. Në një rezolutë të hartuar për punën e SPAK kërkohet që të hapen dosjet e vjetra.

Një burim nga Komision i Ligjeve i tha “Pamfletit” se fjala është pikërisht për dosjet e bujshme më sipër, për të cilat nuk ka asnjë zhvillim. Gjithashtu kërkohet nga SPAK që të hetohen të ngelurit në veting.

Kuvendi i Shqipërisë i rekomandon Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për vitin 2023, në përmbushje të detyrave të ngarkuara me ligj, të angazhohet veçanërisht dhe në këto drejtime:  Të rrisë përdorimin e teknikave të hetimit dhe numrin e hetimeve proaktive në çështjet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, përfshirë dhe ish magjistratë, dhe krimit të organizuar me prioritet çështjet me interes të veçantë publik; Të rrisë numrin e hetimeve financiare dhe pasurore si dhe sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, që rezultojnë nga veprat penale të kryera në kuadrin e korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta vjen në një kohë kur SPAK po godet vetëm majtas. Si duket socialistët i kanë dërguar mesazh Dumanit që të shikojë dhe dosjet që kanë vite që presin të hapen.

Po ashtu kërkohet që SPAK të forcojë bashkëpunimin me Inspektorin e Lartë të drejtësisë dhe të vlerësojë referimet nga publiku, media dhe shoqëria civile lidhur me praktikat e mundshme korruptive në radhët e gjyqtarëve, prokurorëve dhe OPGJ-ve të të gjitha niveleve si kusht për të garantuar përgjegjshmërinë dhe integritetin profesional dhe etik në sistemin e drejtësisë.

Një tjetër kërkesë e Kuvendit për SPAK është që të hartojë një plan vlerësimi për Integritetin që të përmbajë masa konkrete antikorrupsion, masa mbi etikën dhe sjelljen e punonjësve të SPAK. /Pamfleti

kuvendi dumani dosje

Lini një Përgjigje