
SHBA ka paralajmëruar ditën e djeshme se në Ballkan do të ketë shumë politikanë të tjerë “non grata”…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer të dridhurat në radhët e politikës. Pas shpalljes së Sali Berishës “non grata”, nuk ka pasur më emra të tjerë të futur në listën e zezë. Kjo duket se vuri në qetësi të korruptuarit, të cilët filluan ta bëjnë gjumin e qetë. Mirëpo dje pati dy mesazhe përvëluese për ta dhe duhet të fillojnë të shqetësohen.
Mesazhi i parë erdhi rreth orës 17:00 me orën tonë lokale. DASH njoftoi se shpalli “non grata” Ramiz Merkon, kryetarin e Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut. Prej disa kohësh, SHBA nuk kishte bërë goditje në Ballkan dhe dje u dhanë mesazhe se vëmendja është rikthyer. DASH shprehej se ai është përfshirë në korrupsion dhe për këtë arsye i ndalohet hyrja në tokën amerikane. Vetë ambasadorja e SHBA paralajmëroi se pas tij do të ketë emra të tjerë, që do të thotë se vëmendja në Ballkan është shtuar.
Por mesazhi i dytë ishte më i fortë dhe ai përfshinte dhe Shqipërinë. Rreth orës 23:00 me orën tonë lokale, u njoftua se Shtëpia e Bardhë ka zgjatur urdhrin ekzekutiv për ndëshkimin e të korruptuarve në Ballkan. Urdhri zgjeroi emergjencën ndaj të korruptuarve, duke futur edhe Shqipërinë.
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare të stabilizimit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara", shprehej dje Biden.
Pra mesazhi i tij ishte i qartë, kush ka futur duart në afera dhe rrezikon Ballkanin, do shpallet i padëshiruar. Pyetja që shtrohet është: Kush e ka radhën? Berisha ka dy vite që vjen lartë e poshtë dhe nuk po e kapërdin dot damkën. Por duket se ka shumë të tjerë që janë trembur.
Një ndër ta është Ilir Meta. Ky i fundit duket se po distancohet nga Berisha pas paralajmërimeve që ka marrë nga SHBA. Escobar i shkoi në zyrë para zgjedhjeve dhe paralajmërimi ka qenë i qartë: kush rri me “non gratat” ka fatin e tyre. Meta është folur gjatë se mund të hyjë në listën e zezë dhe siç duket po mundohet t’i paraprijë. Monika Kryemadhi po ashtu është në tehun e thikës, pasi skandali që i doli me rusët ka rënë si “bombë” tek amerikanët.
Ka zëra që thonë se këtë herë DASH do të godasë edhe majtas. Ka disa ish-ministra që janë me dosje në SPAK dhe që janë akuzuar shpesh. Në listë i pari është Ilir Beqja. Gjatë një aktiviteti që u mbajt muaj më parë mbi donacionet, pasi ai mori fjalën, Yuri Kim u largua. Po ashtu janë dhe disa emra të tjerë që janë përfolur gjatë për korrupsion dhe ja kanë hedhur paq. Këtu përfshihen ish-ministra dhe deputetë, por dhe kryetarë bashkie.
Sipas informacioneve, për shumë prej tyre, ambasada ka bllokuar vizat dhe ata nuk ikin dot jashtë vendit. Mirëpo shumë shpejt mund të vijë një “fletë rrufe” nga Uashingtoni. /Pamfleti
Lini një Përgjigje