TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë14 Qershor 2023, 19:12

E japim Edi Ramën në këmbim të tre policëve të marrë peng

Shkruar nga Abedin Ismaili
E japim Edi Ramën në këmbim të tre policëve të
Edi Rama

Krimineli serb në qeli është më pak i dëmshëm për Kosovën se sa Rama në liri.

Sa më shumë kryeministra shqiptarë aq më shumë “shërbyes” të Vuçiç; shqiptarët mbjellin Vuçiç korrë. Urojmë që fara e kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Malit të Zi mos të shtohet edhe në Maqedoninë e Veriut. Rama e Abazoviç mund t’i shërbejnë Vuçiçit çaj e kafe por asesi interesa kombëtare shqiptare.

Situata në Kosovë po shkon drejt përshkallëzimit, dhe shkaktari kryesor në krejt këto ngjarje e këtë situatë të krijuar është mos unifikimi i shqiptarëve.

Shumë shqiptarë anekënd rajonit, janë në pozita vendimmarrëse, që për fat të keq rrallë herë vendime marrin. Por, edhe kur i marrin, gabojnë rëndë. Vendimi i Edi Ramës për anulimin e takimit të qeverive në Gjakovë është më shumë se skandaloz.

Që Rama vepron kundër interesave të Kosovës e ka dëshmuar edhe më herët. Rama i do vetëm ata liderë të Kosovës që janë në burgje, këta që janë në liri, i urren sepse liria e tyre është cenim i autokracisë së tij.

Edi Rama, një kryeministër, i cili ka dëshmuar që vuan për vëmendje.

Veshjet dhe sjelljet e tij janë të njohura në rajon e në botë, por tani më nuk po i intereson askujt se si vishet Rama, madje edhe po shkoi ‘cullak’ në takime nuk ngjall habi; ai e ka zhveshur pozitën e kryeministrit të Shqipërisë nga petku i kujdesit për shqiptarinë.

Kryeministri trup gjatë e “mendje shkurtë”, është bërë tellall i ideve të Vuçiç për Ballkanin e Hapur e për izolimin e Kosovës.

Ai përpos që nuk po e ndihmon Kosovën në arenën ndërkombëtare, po tenton ta dëmtojë me çdo kusht duke anuluar edhe mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, vetëm për të qartësuar pozicionimin e tij.

Rama ndryshe njihet edhe si kryeministri i parë në histori që ka paditur në gjakatë një kryeministër shqiptar të Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë u bë vegël e presioneve, ndaj ish kryeministrit Haradinaj kundrejt idesë së dështuar të “shkëmbimit të territoreve”, madje këtë presion e ka bërë edhe në prezencë të faktorit ndërkombëtar, duke e vënë në siklet ish kryeministrin Haradinaj.

Ajo ide u varros, por kuzhina e Moskës me destinacion Beogradin punon ende, ushqimi i radhës për “grazhdin” e Ramës ishte ideja e një Ballkani të Hapur, për të cilën Rama ka bërë dhe vazhdon të ushtrojë ndaj kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurtit. Dhe, pas rezistencës së treguar dhe vendosmërisë së Albinit kundër kësaj ideje, Vuçiç po krijon tensione në veri të Kosovës, e Rama është në të njëjtën gjatësi vale me të.

Shqipëria me në krye Ramën bëhet shteti i dytë pas Serbisë që çështjen e gjenocidit në Srebrenicë e vë në dilemë, duke mos e votuar rezolutën. Pra, Kuvendi i Shqipërisë u vendos kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Këto dhe shumë fakte të tjera, besoj që do ti bindin edhe votuesit e Ramës që ta sakrifikojnë liderin e tyre; me një veprim taktik ta lajë borxhin që ka ndaj shqiptarëve në tërësi. Të paraqitet vet vullnetar për këmbim, e pastaj prej Beogradi edhe nëse e dëmton Kosovën është më lehtë e pranueshme sesa prej Tirane.

Fundja, nëse Rama pranon të këmbehet me tre policët e marrë peng do të kish qenë veprimi më i mirë e më i duhur dhe i vetmi në shërbim të kombit shqiptar. Nga ana tjetër, ky është këmbimi ideal, sepse nëse serbët kërkojnë për këmbim kriminelin serb kjo do të ishte humbje për Kosovën, pasi krimineli serb në qeli është më pak i dëmshëm për Kosovën se sa Rama në liri./Pamfleti

edi rama këmbimi kosova

Lini një Përgjigje