Kim ka në dorë fatin e Berishës dhe të atyre që i rrinë pas. Berisha është shpallur “non grata”, por ndaj tij dhe familjes së tij nuk ka pasur sanksione ekonomike...
Sali Berisha ka filluar sërish të shohë ëndrra me amerikanë. Që pas damkës së 2021, Uashingtoni u kthye në makth për të, pasi SHBA e njollosi si personin më të korruptuar në vend. Berisha u mundua të pastronte imazhin, por pasi nuk ja doli dot, ju hakërrye ambasadores. Kur e pa se DASH e mbështeste Yur Kim, u duk sikur u tërhoq. Pas zgjedhjeve sulmonte vetëm ambasadorin britanik.
Mirëpo, që ditën që doli lajmi se Kim do të marrë një detyrë të lartë në Uashington, Berisha dhe shpura e tij janë hedhur në sulm ndaj ambasadores. Kim është emëruar zëvendës-ndihmës sekretarja kryesore për Çështjet Evropiane. Ajo do të jetë në sektorin që ka të bëjë me sanksionimin e personave të zhytur në korrupsion. Si duket këtu fle lepuri. Kim ka në dorë fatin e Berishës dhe të atyre që i rrinë pas. Berisha është shpallur “non grata”, por ndaj tij dhe familjes së tij nuk ka pasur sanksione ekonomike. Por dy ditë më parë Kim ja dha sinjalin se SHBA mund të hapë letrat e pasurisë të Saliut.
“Në pozicionin tim të ri unë do të kem përgjegjësi për gjithë Evropën, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Për këtë unë jam shumë e kënaqur, ndoshta jo të gjithë janë të kënaqur për këtë, por unë jam”, tha ajo në një konferencë shtypi për gazetarët.
Pas kësaj deklarate, Berisha dhe ata që e ndjekin pas nuk kanë lënë moment pa sulmuar ambasadoren. Të mërkurën Berisha ju hakërrye në mbledhje grupi, ndërsa sot bëri të njëjtën gjë në një takim me gazetarët.
“Zgjatja e qendrimit të saj ishte një akt, një hile e neveritshme që ajo me Olta Xhaçkën dhe Edi Ramën, i bëri vendit të vet, haptazi. Ajo për të zgjatur qendrimin, për t'i bërë shërbimet e fundit në këto zgjedhje dhe kundër opozitës, i kërkoi Ramës dhe Xhaçkës, që të thonë se po ikën. Shefat e saj pastaj thanë se nuk mund të na diktojnë se kur ikën, e kur rri, etj. Së dyti, meqenëse ajo po ikën, i thashë në parlament mesazhin që kisha. Por një gjë që nuk m'u kujtua në atë moment, po ja them tani. Ftoj përsëri Inspektorin e Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, Kongresin e SHBA dhe FBI-në, të hetojnë për pronat e saj në Shqipëri. Sikundër theksoj se, zëdhënësi i saj, Edi Rama, aludoi se unë e kisha fjalën për Yuri Kim polakun. Unë nuk ngatërroj një polak me një amerikane, kurrë”, tha Berisha sot.
Në sulm janë hedhur dhe ata që i rrinë pas. Dje ishte zëdhënësi i Berishës, Alfred Lela, i cili sulmonte ambasadoren se përse kjo nuk e kishte ftuar Saliun në pritjen për Pavarësinë e SHBA. Sot e ka sulmuar Gent Strazimiri, edhe ky një mbështetës i Berishës. Po ashtu disa gazetarë fanatikë të Berishës janë hedhur në sulm.
Por pse të gjithë kaq të shqetësuar? Shpjegimi është i thjeshtë. Berisha ka frikë nga detyra e re e ambasadores. Familja e tij figuron me pasuri miliona euro dhe ai kurrë nuk ka dhënë llogari. Nëse SHBA nis sanksionet, telashet do të jenë të mëdha. E dyta është se mund ta pësojnë dhe ata që i rrinë pas. SHBA e ka taksative se ata që mbështesin “non gratat” nuk kanë punë me Uashingtonin. Të gjithë duket se janë trembur dhe tani i hakërrehen ambasadores. /Pamfleti
Lini një Përgjigje