Mirë bëjnë ata të DEA-s amerikane që kërkojnë spiunë vullnetarë, por kot e kanë po nuk i hynë vetë punës, pasi mafia jonë i ka marrë masat, ose i ka rekrutuar, ose i ka nisur në Amerikë...
DEA amerikane, prej 17 muajve ka ngritur zyrat këtu në Tiranë. Agjencisë së tmerrit kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave që lidhen me të, mafiozët tanë i kishin siguruar pritje publike drite e rrugë të fshehta terri.
Paratë dhe pronat e drogës shihen me sy të lirë, kudo, por mafiozët janë zvarranikë, rrëshqanorë që nuk ka teleskop t’ua zbuloi këmbët e fshehura?!
DEA po, duke njohur shpejtësinë e fotonit në shkencat e dritës së pabesive, për fotografim e spiunllëk, e ka hapur derën për informatorët vullnetarë, në Whats’App-in: +1 571 502-7846 dhe email-n: [email protected], me premtimin solemn për siguri anonimiteti.

Po mafiozët i kemi skile, të rrahura me vaj e uthull.
Në fshatin e spiunëve, ku jo larg në kohë, vëllai spiunonte vëllain, sot më lehtë gjen gjilpërën në kashtë, se një spiun për këto punë.
Kur arrijnë t’i rekrutojnë FBI-së shefin e madh, edhe pasuritë e drogës i mbulojnë me lule, identitete të tjera, vjersha e recitime të bukura, dehëse.
Ec e zbuloje për shembull floririn e thesarit të shtetit, që u bë edhe drogë edhe tym inceneratorësh që nxin qiellin e organizatës më të tmerrshme të terrorit global, Ndranghetës, ku jo DEA, po edhe Dreqi del duarbosh.
51 mijë apartamente të ndërtuara me para krimi janë bosh vetëm këtu në Tiranë, po ec e identifikoji bosët pronarë, pa thyer njërën këmbalkë të Bablokut, Lali Erin, që është bërë erë për të tharë rrobat e SPAKut, McGonigalit e Opozitës, që t’i ketë për ditë të keqe.
Pra, sa të mësojë rrugët e fshatit kjo skuadra e tmerrit, Shqipëria po boshatiset.
Para se të largojë viktimat, mafia ka menduar për ish spiunët kriminelë të ish Sigurimit të Shtetit dhe për bijtë e tyre që u shtuan e pasuruan.
Këtë farë të keqe që ka dënuar njerëz të pafajshëm, sot mafia ose e ka rekrutuar ose e ka dërguar në Amerikë, dhe shërbimet e huaja, të lëpijnë gishtat, ose të mbushen me dollarë si McGonoigal, ose të kalojnë kohën kot, deri sa të ndërrojë epoka e kopukëve, pas zgjedhjeve të nëntorit në Amerikë.
Se na besoni, kemi nuhatje, dhe ditë të këqija po vijnë për maskarenjtë.
Njëri që njoh, një bullar që e gjeti Babloku për ta bërë deputet po them, që të mos tradhtojë profesionin, pasi në Greqi ishte burgosur dhe në Amerikë e kishin refuzuar, më tregonte vizat amerikane familjare, që i kishte për ditë të keqe.
Pra ky, si shumica e zyrtarëve drogmenë që sot janë këtu dhe DEA i kërkon e nuk i gjen, nesër marrin me vete paratë e drogës e vejnë në Amerikë.
Nuk po botojmë shifra, se duam ta ruajmë fytyrën fizike të shtetit, por nga viti 1991 e deri sot, gjithë spiunët dhe hajdutët, ish zyrtarë edhe spiunë, nuk i kemi këtyre anëve. Kanë ikur e kanë lënë këtu vetëm të përbuzurit nga pushteti dhe të rreshkurit në rrezet e Diellit të perëndimit, se Babloku ka deklaruar që bënte lista partie, si duhet të votojnë ata që kualifikohen për viza amerikane.
Çdo shenjë që ka lënë gjurmë, është njollë e zezë.
Në këtë mjedis pis, poshtë vijës së dukshme të sukseseve që nuk shihen, mund të shkruajmë me germa nafte, floriri, inceneratorësh, droge dhe tenderësh, se mirë bëjnë ata të DEA-s amerikane që kërkojnë spiunë vullnetarë, por kot e kanë po nuk i hynë vetë punës, pasi mafia jonë i ka marrë masat, ose i ka rekrutuar, ose i ka nisur në Amerikë./Pamfleti
Lini një Përgjigje