Nga të dhënat që ka publikuar “Pamfleti” gjithë këto ditë, duket qartë se politika jeton në luks. Por pse askush nuk hetohet për këto prona dhe pasuri të dyshimta?
Politikanët shqiptarë, mund të futen pa frikë në mesin e njerëzve më të pasur, jo vetëm në vend, por në rajon dhe Europë.
“Pamfleti” prej disa javësh ka publikuar detaje nga pasuritë e ministrave, deputetëve, kryeministrit dhe personazheve të tjerë të politikës. Ajo që bie në sy është se thuajse të gjithë kanë pasuri të lartë. Mund të numërohen me gishtat e dorës ata deputetë që janë si gjithë qytetarët e tjerë, pasi edhe pse deklarojnë vetëm pagën, kanë disa apartamente, garazhe, dyqane, etj. Për ministrat nuk kemi çfarë themi, pasi të gjithë notojnë mbi para.
Në të dhënat që ka publikuar “Pamfleti”, rezulton se kryeministri Rama ka deklaruar vetëm pagën, por gruaja e tij dhe djali kanë blerë apartamente. Po ashtu djali ka deklaruar shuma të mëdha nga arti që ai bën.
Sali Berisha po ashtu ka vetëm pagën, por fëmijët e tij kanë deklaruar miliona. Si djali dhe vajza kanë deklaruar shifra të mëdha parash.
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta vijojnë të shesin prona të paluajtshme dhe të shijojnë luksin. Gruaja e Bashës ka marrë një kat pallati dhuratë dhe disa apartamente e garazhe. Kemi ministra me makina luksoze, me aksione, biznese dhe apartamente apo garazhe. Kemi deputetë po ashtu që kanë shumë burime të ardhurash.
Pyetja që shtrojmë të gjithë është: Nga buron gjithë kjo pasuri? Si ka mundësi që deputetët dhe ministrat që deklarojnë vetëm pagën, kanë apartamente, garazhe, ullishte, prona, makina luksi, etj? Ka dhe nga ata që shesin e blejnë prona çdo vit, duke luajtur me çmimet.
Ndërkombëtarët kur nisi reforma në drejtësi, kanë kërkuar vetëm një gjë nga drejtësia: “Ndiqni paratë”. Pra, nëse ndjek pasurinë, do zbulosh më pas aferat që kanë sjellë këtë luks.
Pra për të qenë më të thjeshtë, si ka mundësi që deri më sot nuk është dënuar asnjë politikan për fshehje pasurie? Si ka mundësi që dhe ata që janë hetuar ja kanë hedhur paq?
Së pari duhet theksuar se sa kohë në krye të ILDKP ishte Shkëlqim Ganaj, pati shumë kallëzime penale për deputetët, ministra, kryetarë bashkie, etj. Mund të themi se për shembull u paditën edhe emra si Alfred Peza apo Ervin Bushati, deputetë të PS në atë kohë. Po ashtu janë paditur ish-ministra si për shembull Ritvan Bode. Por prokuroritë i kanë mbyllur dosjet. Të gjithë ja hodhën paq.
Por që kur në krye të ILDKP u vendos Evgjeni Bashari ra dhe numri i padive. Madje rezulton se në SPAK nuk është dërguar asnjë zyrtar i lartë. Ajo që e bën situatën më të lehtë për pushetarët është se ILDKP ka filluar të fshehë emrat e të paditurve. Pra një politikan ka komoditetin të ndërhyjë te drejtësia sepse askush nuk e di që po hetohet.
Të gjitha këto kanë bërë që sheikët e politikës të shijojë luksin dhe të mos u hyjë gjemb në këmbë.
Kjo duhet të jetë një kambanë alarmi për SPAK. Tani politika i ka bërë deklarimet online dhe SPAK e ka të lehtë të aksesojë. Kur Meta, Rama, Berisha, etj., deklarojnë pasuri qindra mijëra euro, imagjinoni se sa mund të jetë ajo në të vërtetë. Sytë tani janë te SPAK, pasi kryeministri Sanader në Kroaci u fut në burg vetëm nga një orë e shtrenjtë. Pushtetarët tanë kanë miliona euro pasuri dhe flenë të qetë në vilat e tyre. /Pamfleti
Lini një Përgjigje