
PS e përdor për të sulmuar, por në fakt duket sikur ka një pakt të heshtur që kjo ngjarje të mbetet e varrosur, pasi nëse hapen “petët e byrekut”, mund të preken të gjithë...
Nesër shënohen 13-vite nga masakra e 21 Janarit 2011, ku 4 protestues u vranë në mes të bulevardit. U nis si një protestë kundër qeverisë, por përfundoi në gjakderdhje dhe ata që shkaktuan këtë masakër kurrë nuk dhanë llogari.
Nesër, pritet që të vijojë avazi i vjetër, ku Kryeministri dhe ata që i rrinë pas të bëjnë homazhe në Bulevard dhe të presin familjarët e të vrarëve, ku do kërkohet drejtësi. Prej 12-vitesh ka vijuar e njëjta retorikë, madje këtë gjë PS e bënte edhe para se të vinte në pushtet.
Tani karta që do të përdoret është Strasburgu. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut faktoi se kemi të bëjmë me vrasje shtetërore, por atë vendim nuk po e përfill askush.
PS e përdor për të sulmuar, por në fakt duket sikur ka një pakt të heshtur që kjo ngjarje të mbetet e varrosur, pasi nëse hapen “petët e byrekut”, mund të preken të gjithë, si ata në opozitë, ashtu dhe këta në pushtet. Për të qenë më të saktë, të parët që duhet të thirren në Prokurori dhe të japin sqarime janë 4 emra: Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Lulzim Basha.
Qytetarët që u vranë u sollën para Kryeministrisë pikërisht nga Edi Rama dhe partia që ai drejton. Vetë Rama, atë ditë nuk shkoi në bulevard dhe Berisha e akuzon se e dinte që do të kishte revolta. Ai kurrë nuk është pyetur në Prokurori për protestën dhe nëse dosja rihapet, mund të ndodhë që dhe Kryeministri të pyetet nga SPAK si iniciatori i demonstratës.
Pastaj, shefin e grupit të zjarrit, Rama e mori dhe e bëri kryetar bashkie në Mat. Gjithashtu, nuk pati kurrë një lëvizje që të ndihmonte në zbardhjen e ngjarjes.
PS ka 10-vite në pushtet dhe ngjarja nuk është zbardhur. Rama fshihet pas faktit që nuk ndikon dot te drejtësia, por ka dhe manovra të tjera. Vetëm vjet, PS bëri një padi në SPAK pasi dolën përgjimet e Gardës, por dhe ajo padi ishte e mangët dhe SPAK nuk e pranoi.
Padyshim përgjegjësi kryesor është Sali Berisha. Ai akuzohet si personi që urdhëroi vrasjet. Vetë në dokumentin e Strasburgut tregohet se si ai prishi provat, ushtroi presion ndaj Drejtësisë dhe deformoi hetimet. Pra, ai është përgjegjësi kryesor dhe padyshim nuk e do hapjen e dosjes. Nga ana tjetër, Berisha fajëson Ramën, duke treguar se të gjithë janë të zhytur në këtë krim shtetëror.
Një emër tjetër që trembet nga kjo dosje është padyshim Lulzim Basha, i cili ndoshta është dhe personi që nëse flet, mund t’i japë njëherë e mirë fund këtij debati. Basha ishte ministër i Brendshëm në atë kohë dhe kishte përgjegjësinë të garantonte rendin. Në përgjimet që kanë dalë së fundmi, në një moment del dhe Basha, i cili kërkon takim me Prendin. Dikush e dha urdhrin për të vrarë dhe tre janë ata që e kanë bërë, ose Sali Berisha, ose Lulzim Basha, ose Ndrea Prendi. Ish-ministri gjithmonë i ka bërë bisht kësaj çështjeje dhe kurrë nuk ka folur, pasi nëse flet, padyshim fundos dhe veten.
Personi i katërt është Ilir Meta. Jo se ka ndonjë përgjegjësi ligjore, por “21 Janari” ndodhi për shkak të tij. Ishte videoja e tij me Dritan Priftin që shkaktoi protestën dhe më pas vrasjet në Bulevard. Meta ishte pjesë e qeverisë në atë kohë dhe e di se çfarë ka ndodhur. Edhe ai, njësoj si Basha e ka shmangur sa më shumë “21 Janarin”. Madje kur ishte President, kjo datë e gjente gjithmonë jashtë.
Pra me pak fjalë, te 21 Janari janë të zhytur të gjithë. Nga Rama, Berisha, Meta e Basha. Dhe kjo është arsyeja se përse kjo dosje është groposur që në vitin 2011 dhe përsa kohë ata janë në politikë, vështirë se do të hapet. /Pamfleti
Lini një Përgjigje