Trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel, ka vendosur të bëjë një zgjedhje befasuese për përballjen ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Surpriza më e madhe në formacion pritet të jetë Morgan Roxhers, i cili do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë.
Gjatë këtij Botërori, Tuhel ka preferuar të bëjë rotacion në krahun e djathtë të sulmit, duke u alternuar mes Noni Maduekes dhe Bukajo Sakës. Ndërkohë, ylli i Aston Vilës, Morgan Roxhers, ka qenë titullar vetëm një herë në këtë kompeticion, ku luajti në rolin e numrit 10.
Tani është sërish momenti që 23-vjeçari të tregojë vlerat e tij. Pritshmëritë janë të mëdha për lojtarin më të vlerësuar të Aston Vilës, i cili kërkon të lërë gjurmë në sfidën më të rëndësishme të karrierës së tij deri më tani.
Në historinë e përballjeve direkte, Anglia dhe Argjentina janë përballur 14 herë. Bilanci favorizon anglezët, të cilët kanë regjistruar gjashtë fitore, ndërsa Argjentina ka triumfuar në tre raste. Pesë ndeshje janë mbyllur në barazim.
Anglia ka shënuar 24 gola ndaj Argjentinës, ndërsa ka pësuar 19. Përballja e fundit mes dy skuadrave daton më 11 nëntor 2005, në një ndeshje miqësore të fituar 3-2 nga Anglia.
Në atë takim ishte grumbulluar edhe Lionel Mesi, por ylli argjentinas nuk mori minuta. Sfida e sotme do të jetë përballja e parë e Mesit në fushë ndaj Anglisë.
Lini një Përgjigje