TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Korrik 2026, 22:10

Të dielën finalja e Kupës së Botës, Kukureja tregon prapaskenën interesante me Donald Trump në Botërorin e Klubeve

Shkruar nga Pamfleti
Të dielën finalja e Kupës së Botës, Kukureja tregon
Mark Kukureja-Donald Trump

Mark Kukureja është i vetmi futbollist i kombëtares së Spanjës që e di se si është të fitosh një finale botërore në New York. Vetëm një vit më parë, mbrojtësi spanjoll ngriti trofeun e Botërorit të Klubeve me Çelsin në stadiumin “MetLife”, ndërsa tani do të rikthehet në të njëjtin impiant me një synim edhe më të madh: të shpallet kampion bote me “La Rojan”.

Një nga lojtarët më të spikatur të Spanjës në këtë turne, falë paraqitjeve të tij të qëndrueshme, Kukureja e di mirë se çfarë e pret ekipin në rast triumfi në finalen e së dielës. Përveç stadiumit, edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut pritet të ketë ngjashmëri me atë të një viti më parë. Madje, sipas protokollit, trofeun pritet ta dorëzojë sërish presidenti amerikan Donald Trump.

Mbrojtësi i Çelsit ka zbuluar një episod interesant nga ceremonia e vitit të kaluar, kur organizatorët kishin parashikuar që lojtarët të prisnin largimin e Trump përpara se të ngrinin trofeun.

Na thanë se, sipas protokollit, Donald Trump do të na dorëzonte trofeun dhe ne nuk mund ta ngrinim atë derisa ai të largohej”, tregoi Kukureja për mediat spanjolle.

Megjithatë, skenari nuk shkoi sipas planit. Pas përfundimit të ceremonisë, Trump vendosi të qëndronte në podium, ndërsa presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, u përpoq ta bindte të largohej përpara festës së Çelsit.

Ishim të gjithë aty duke pritur që ai të largohej, por ai nuk donte të ikte. Na shihte dhe na thoshte: ‘Ngrijeni trofeun, unë do të rri këtu dhe pikë’”, kujtoi Kukureja.

Në atë finale, Çelsi dominoi plotësisht PSG-në, duke fituar 3-0 ndaj kampionëve të Europës, të cilët konsideroheshin favoritë pas suksesit ndaj Realit të Madridit në gjysmëfinale.

Tashmë, një vit më vonë, Kukureja rikthehet në “MetLife”, këtë herë me fanellën e Spanjës. Pas triumfit në Botërorin e Klubeve, ai synon të përjetojë sërish të njëjtën ndjesi, por me trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror: Kupën e Botës.

mark kukureja mbrojtësi spanjoll donald trump presidenti amerikan

Lini një Përgjigje