Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vlorë, ku një i paraburgosur ka humbur jetën pasi u transportua me urgjencë në spital.
Viktima është identifikuar si Blerim L., 54 vjeç, i cili ndodhej në paraburgim për akuzën e kultivimit të bimëve narkotike.
Sipas informacioneve paraprake, 54-vjeçari ka shfaqur probleme të papritura shëndetësore brenda ambienteve të paraburgimit. Dyshohet se ai ka pësuar një infarkt, çka ka bërë të nevojshëm transportimin e menjëhershëm drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, ai nuk ka mundur t'u mbijetojë komplikacioneve dhe ka ndërruar jetë pak pas mbërritjes në spital.
Pas ngjarjes, në ambientet e Spitalit Rajonal të Vlorës kanë mbërritur forca të Policisë së Shtetit dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e rastit.
Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Lini një Përgjigje