Në pranga përfunduan drejtoresha Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Hoti Duni dhe arkëtarja Paola Dana. Hetimet vijojnë për dyshimet mbi një dëm ekonomik që mund të arrijë deri në 3 milionë euro.
Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar ndalimin e tre punonjëseve të filialit të Postës Shqiptare në Durrës, një ditë pasi institucioni depozitoi kallëzim penal për dyshime mbi abuzime në administrimin e fondeve.
Në pranga kanë rënë drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, shefja e financës, Valbona Hoti Duni, si dhe arkëtarja Paola Dana.
Burime bëjnë me dije se, pas kallëzimit penal të depozituar nga Posta Shqiptare, prokurori i çështjes, G. Frëngu, ka nisur menjëherë veprimet procedurale dhe ka kërkuar mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Tre punonjëset janë ballafaquar me akuzat e ngritura nga institucioni për shkelje detyre dhe abuzim me vlera monetare.
Pas veprimeve të para hetimore, prokurori ka vendosur ndalimin e tyre, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht mekanizmin e dyshuar të abuzimit dhe përgjegjësitë e secilës prej tyre.
Një ditë më parë, Posta Shqiptare njoftoi se kishte shkarkuar nga detyra drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, pas një kontrolli të brendshëm ku u konstatuan parregullsi në administrimin e fondeve të lidhura me shërbimet e pagesave.
Sipas burimeve, fillimisht u dyshua për mungesën e rreth 700 mijë eurove në fondin e filialit, ndërsa verifikimet paraprake flasin për një dëm ekonomik që mund të arrijë deri në 3 milionë euro. Vlera përfundimtare e dëmit pritet të përcaktohet nga hetimet e Prokurorisë.
Posta Shqiptare bëri me dije se, pas përfundimit të kontrollit, mori masa administrative ndaj punonjësve të përfshirë dhe e referoi çështjen në organin e akuzës, duke depozituar kallëzim penal.
Elisabeta Mataj mori drejtimin e filialit të Postës në Durrës në tetor të vitit 2025, duke zëvendësuar Etleva Budinin, e cila u largua nga detyra pasi fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Lini një Përgjigje