
Në protestën e 46-të të revoltës qytetare, e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë, anëtari i Grupit Koordinues, Përparim Gjeka, prezantoi një sërë kërkesash të reja që lidhen me administrimin dhe verifikimin e pronave në bregdetin shqiptar.
Gjeka u shpreh se, edhe nëse shfuqizohet ligji 21 i vitit 2024, problemet me pronat në vijën bregdetare do të mbeten dhe, sipas tij, nevojitet një proces i pavarur për të verifikuar ligjshmërinë e tyre.
“Vëllezër e motra shqiptarë, ne kemi luftuar çdo ditë për të mbrojtur bregdetin shqiptar. Ligji 21 i 2024, do të shfuqizohet. Por problemet e trashëguara do të mbeten. Një pjesë e pronave të bregdetit është tjetërsuar. Hetimet e SPAK kanë nxjerrë në pah abuzime me pronat publike me vlera të jashtëzakonshme. Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje si u tjetërsuan këto pasuri. Ne kërkojmë një proces të pavarur, që çdo pasuri të provojë ligjshmërinë e saj”, tha protestuesi.
Ai kërkoi që të gjitha pronat përgjatë vijës bregdetare, nga Saranda deri në Shkodër, t'i nënshtrohen një procesi verifikimi dhe, në rast se provohet se janë përvetësuar në kundërshtim me ligjin, t'i rikthehen interesit publik.
“Duhet një proces kombëtar verifikimi i të gjitha pronave në vijën bregdetare që nga Saranda e deri në Shkodër. Të kalojë në sitë çdo vilë, çdo resort dhe çdo parcelë toke. Të kalojë në sitë çdo vilë, çdo resort dhe çdo parcelë toke. Çdo pronë që vërtetohet nga drejtësia që është marrë në kundërshtim me ligjin, duhet t’i kthehet interesit publik dhe pasurisë kombëtare”, u shpreh Përparim Gjeka.
Në vijim, qytetari propozoi krijimin e një fondi kombëtar për administrimin e pasurive bregdetare, i cili, sipas tij, duhet të garantojë transparencë dhe shpërndarje të përfitimeve në interes të qytetarëve.
“Shqipëria ka nevojë për një vizion të ri zhvillimi, si fond kombëtar të menaxhimit të pasurive bregdetare. Një institucion transparent që të administrojë në emër të kombit pasuritë strategjike të bregdetit dhe fitimet të ndahen për të gjithë shqiptarët. Zhvillimi i bregdetit nuk mund të bëhet pa plan, por duhet një plan urbanistik kombëtar. Zonat më të bukura e të rralla duhet të ruhen si pasuri kombëtare. Gjiret, parqet natyrore, lagunat dhe peizashet unike, nuk mund të sakrifikohen për interesa afatshkurtra. Duhet të investojë diaspora shqiptare vetë. Diaspora duhet të ketë mundësi të jetë pjesë e zhvillimit të atdheut. Vetëm mbi bazën e një zhvillimi të planifikuar, të mirëpresim edhe investime të huaja serioze”, tha Gjeka.
Lini një Përgjigje