Revolta qytetare kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike ka vijuar edhe në ditën e saj të 46-të, ndërsa nga podiumi para Kryeministrisë nuk kanë munguar akuzat dhe mesazhet e forta në adresë të qeverisë dhe opozitës.
Një prej protestuesve ironizoi përpjekjet e mazhorancës për të kontrolluar debatin publik, duke iu drejtuar edhe deputetit socialist Erion Braçe.
“Erion Braçe, ty të mbron Edi Rama dhe patronazhistët. Pse nuk ke dhënë llogari për atë zyrën ilegale të patronazhistëve te Njësia 5? Algoritmin mund ta ulni sa të doni, por algoritmi janë njerëzit këtu në shesh,” deklaroi ai.
Më tej, protestuesi paralajmëroi se, sipas tij, largimi i kryeministrit do të shënojë fundin edhe për strukturat që ai i cilësoi si patronazhiste.
“Ditën që do rrëzojmë Ramën duhet të gjeni punë të re, se Rama nuk do ketë më lekë t’ju japë sufllaqe! Edi Rama, ose rrëzohu ose dorëzohu!” u shpreh qytetari.
Një tjetër protestues drejtoi akuza të forta jo vetëm ndaj kryeministrit Edi Rama, por edhe ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke i konsideruar të dy përgjegjës për gjendjen në vend.
“Rama nuk e meriton t’i thuash kryeministër, është lugat! Po krah atij është kuçedra e kombit, Sali Berisha! Nuk janë në shërbim të popullit. Kanë bërë krime e vjedhje!” deklaroi ai.
Në vijim të fjalës së tij, protestuesi theksoi se institucionet shtetërore u përkasin qytetarëve dhe jo politikanëve.
“Kryeministria nuk është pronë private, është e popullit! Kryeministria, parlamenti apo ministritë nuk janë pronat e askujt, por të popullit! Do t’i dënojë populli këta! I madh e i vogël kërkojnë dorëheqje! Kanë ofenduar një popull të tërë dhe i kanë ngrënë gjakun!” tha protestuesi.
Lini një Përgjigje