
Gjatë protestës së 46-të, organizatorët dhe protestuesit u bënë thirrje qytetarëve që t'u bashkohen më 23 korrik protestës që do të zhvillohet përpara Kuvendit të Shqipërisë, në ditën kur do të mbahet seanca e fundit plenare.
Me thirrjet "Parlamenti i krimit", "Parlamenti analfabet", "Revolucion!" dhe "Duam një Shqipëri të re!", protestuesit kërkuan mobilizim sa më të madh, duke deklaruar se do të protestojnë edhe përpara Parlamentit.
Ndërkohë, për seancën plenare të së enjtes, Policia e Shtetit ka marrë të njëjtat masa sigurie si në protestat e mëparshme, duke vendosur gardhin metalik përreth godinës së Kuvendit.
Rikujtojmë përplasjet e ndodhura gjatë protestës së fundit para Parlamentit, dy javë më parë, kur disa protestues u konfrontuan fizikisht me forcat e policisë. Gjatë asaj proteste, pjesëmarrësit hodhën vezë në drejtim të efektivëve dhe tentuan të çanin gardhin metalik, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe automjete me ujë me presion.
Pas incidenteve, disa protestues u shoqëruan nga policia dhe u mbajtën për rreth 72 orë në ambientet e paraburgimit te "Mine Peza" dhe më pas u liruan nga Gjykata Penale.
Ndërkohë, marshimi i protestës së sotme vijoi përgjatë itinerarit të paracaktuar, duke kaluar nga zona e 9-Katësheve, 15-Katëshi dhe Shtëpia e Gjetheve, për t'u rikthyer më pas sërish para godinës së Kryeministrisë, ku u mbyll protesta e ditës.
Lini një Përgjigje