Futbolli nuk do të vijë në shtëpi, Messi me shokë përmbysin në fund Anglinë dhe arrijnë finalen e dytë radhazi të Botërorit
Një gjysmëfinale e denjë për Botërorin. Argjentina dominoi, krijoi raste pa fund, goditi shtyllën, detyroi Xhordan Pikford të bëhej protagonisti i Anglisë, edhe pse e pa veten në disavantazh në mesin e pjesës së dytë, nuk u dorëzua. Me një futboll ofensiv dhe një Lionel Mesi dirigjent të çdo aksioni të rrezikshëm, "Albiceleste" përmbysi rezultatin në minutat e fundit, fitoi 2-1 dhe siguroi me meritë biletën për finalen e Kupës së Botës, ku e pret Spanja.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që zhvilluan një lojë të kujdesshme dhe krijuan pak raste të pastra shënimi, duke bërë që 45 minutat e para të mbylleshin pa gola.
Pas rifillimit, Argjentina u shfaq më kërkuese dhe iu afrua golit që në minutën e 47-të me Julian Alvarez, por ishte Anglia ajo që goditi e para.
Në minutën e 54-t, pas një aksioni të ndërtuar bukur dhe një asistimi të Xhud Belingam, Entoni Gordon përfitoi nga një moment pavëmendjeje i Nahuel Molina dhe mposhti Emiliano Martinez për t'i dhënë epërsinë "Tre Luanëve". Ky ishte edhe goli i parë i Gordon në një Kampionat Botëror.
Reagimi i Argjentinës ishte i menjëhershëm. Vetëm tre minuta më vonë, Djed Spens bëri një ndërhyrje vendimtare ndaj Xhuliano Simeones, duke i mohuar një gol të sigurt.
Presioni i skuadrës së Lionel Skalonit u rrit me kalimin e minutave. Në të 69-ën, pas një krosimi perfekt të Lionel Mesit, Niko Gonzalez provoi me kokë, por Xhordan Pikford reagoi në mënyrë fantastike. Më pas ishte radha e Aleksis Mek Alister, i cili në minutën e 76-të goditi shtyllën me kokë, ndërsa një minutë më vonë u ndal sërish nga portieri anglez.
Këmbëngulja e Argjentinës u shpërblye në minutën e 85-të. Enzo Fernandez realizoi një supergol nga distanca, pas një asistimi të Mesit, duke rikthyer baraspeshën në rezultat.
Kur ndeshja po shkonte drejt kohës shtesë, Argjentina dha goditjen vendimtare. Fillimisht Mek Alister goditi edhe një herë shtyllën në minutën e parë shtesë, ndërsa një minutë më vonë Lionel Mesi harkoi saktë në zonë dhe Lautaro Martinez shënoi me kokë golin e fitores, duke vulosur rezultatin 2-1.
Me këtë triumf, Argjentina siguron për herë të dytë radhazi një vend në finalen e Kupës së Botës, ku do të përballet me Spanjën në një duel spektakolar për trofeun. Ndërkohë, Anglia do të luajë ndaj Francës në ndeshjen për vendin e tretë.
Lini një Përgjigje