
Nis protesta e 46-të e revoltës qytetare, ku qytetarët vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si edhe të gjithë klasës politike.
Ashtu si çdo ditë, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin "Skënderbej", për të nisur më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, ata do të vijojnë marshimin në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës, duke përsëritur thirrjet e tyre kundër klasës politike.
Gjatë marshimit në rrugët e Tiranës, protestuesit brohorasin: "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!" dhe "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!", duke kërkuar largimin e klasës politike dhe rikthimin e demokracisë përfaqësuese.
Një prej aktivistëve të revoltës qytetare, Ilir Xhemalaj, deklaroi se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në arritjen e objektivit të tyre.
"Do të protestojmë çdo ditë deri në dorëheqjen e qeverisë Rama. Ne nuk do të lëvizim. Protesta do të vijojë çdo ditë më e fortë. Njerëzit janë përgjigjur masivisht", u shpreh Xhemalaj.
Sipas tij, reagimi i deritanishëm i qeverisë tregon se pushteti është vënë nën presion nga protesta, ndërsa ndryshimet e ndërmarra nuk përbëjnë zgjidhje për kërkesat e qytetarëve.
"Mbreti ka dalë lakuriq. Qeveria kërkon të bëjë ca rregullime, por është makijazh. Nuk kënaqemi me makijazh. Ne kërkojmë që qeveria të japë dorëheqjen dhe Rama të largohet", deklaroi ai.
Në përfundim, Xhemalaj theksoi se protesta përfaqëson zërin e qytetarëve dhe se presioni i tyre ka detyruar qeverinë të tërhiqet në disa raste.
"Rama nuk është përfaqësuesi i këtij populli. Ajo protestë përfaqëson këtë popull dhe protesta e ka detyruar Ramën të bëjë hapa mbrapa", tha aktivisti.
Lini një Përgjigje