
Gazetari Poli Hoxha deklaroi se protestat e fundit kanë prodhuar një ndryshim të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare, duke ndikuar jo vetëm në jetën politike të vendit, por edhe në mënyrën se si qytetarët e perceptojnë raportin me pushtetin.
Hoxha u shpreh se ndikimi i protestave shtrihet në dy nivele: brenda shoqërisë shqiptare dhe në vëmendjen që Shqipëria ka marrë në mediat ndërkombëtare.
"Efektet e protestës mund t'i ndajmë në dy rrafshe. Efekti i parë është në shoqërinë shqiptare, madje në gjithë kombin shqiptar, duke përfshirë edhe diasporën. Mund të themi pa frikë se edhe mediat ndërkombëtare e kanë vënë Shqipërinë në qendër të vëmendjes", tha ai.
Sipas gazetarit, protestat kanë sjellë një ndryshim të dukshëm në mentalitetin e qytetarëve.
"Protesta e ka ndryshuar Shqipërinë. Protesta ka zgjuar shqiptarët. Është kthyer në një gjendje mendore, pavarësisht se kush shkon në shesh dhe kush nuk shkon. Tashmë njerëzit kanë hequr frikën, kanë hequr komplekset për kryetarët e partive dhe për elitën politike që dukej e paprekshme", u shpreh Poli Hoxha.
Ai shtoi se debati për zhvillimet politike tashmë zhvillohet hapur në jetën e përditshme.
"Në çdo lagje, në çdo dyqan, në çdo kafene diskutohet pa asnjë kompleks se këtij vendi i ka ardhur koha të kthehet në një shtet demokratik normal", deklaroi Hoxha.
Sipas tij, kërkesat e protestuesve janë të lidhura me funksionimin e demokracisë përfaqësuese dhe reformimin e sistemit politik.
"Ata kërkojnë rikthimin në binarët e demokracisë përfaqësuese, rikthimin e votës, një Kod të ri Zgjedhor, rikthimin e referendumeve dhe që presidenti të zgjidhet nga populli", tha Hoxha, duke shtuar se këto ndryshime do të përmbysnin modelin politik që, sipas tij, u ndërtua pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.
Lini një Përgjigje