Majkëll Olize po kalon një moment të vështirë pas paraqitjes zhgënjyese në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, ku Franca u eliminua nga Spanja. Pas një turneu ku kishte spikatur me pesë asiste dhe ishte konsideruar si lideri krijues i “Gjelave”, mesfushori i Bajernit të Mynihut nuk arriti të linte gjurmë në ndeshjen më të rëndësishme.
Ashtu si në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve mes Bajernit dhe PSG-së, edhe ndaj Spanjës, Olize hasi vështirësi të mëdha. Ai u neutralizua nga mesfusha spanjolle, me Rodrin dhe Fabian Ruiz që i kufizuan plotësisht hapësirat, ndërsa edhe pjesa tjetër e skuadrës franceze pati vështirësi në ndërtimin e lojës.
Pas ndeshjes, mediat franceze nuk kursyen kritikat. Gazetari i njohur Daniel Riolo, në emisionin “After RMC”, pranoi se kishte ekzagjeruar me vlerësimet për Olize gjatë turneut.
“E vendosëm Olize në një tryezë me Platinin dhe Zidan, por ai nuk është as në kuzhinën e tyre. Për herë të parë në 20 vite në këtë program, pendohem për disa nga komentet që kam bërë”, u shpreh Riolo.
Edhe e përditshmja prestigjioze “L’Equipe” ishte po aq kritike, duke e vlerësuar futbollistin e Bajernit me notën 3.
“Mesfushori bavarez u zhduk plotësisht nga loja dhe u neutralizua nga organizimi defensiv dhe presingu i kombëtares spanjolle”, shkruante gazeta franceze.
Statistikat e Olize konfirmojnë një mbrëmje për t’u harruar: asnjë goditje në portë, asnjë driblim i suksesshëm, 20 topa të humbur, vetëm 50% duele të fituara dhe 76% saktësi në pasime. Paraqitja e dobët bëri që trajneri Didie Deshamp ta zëvendësonte në minutën e 72-të me Rajan Çerki.
Lini një Përgjigje