TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Korrik 2026, 20:20

Goli i anuluar në Kupën e Botës, Kroacia i kërkon FIFA-s sqarime për vendimet e arbitrit dhe VAR-it ndaj Portugalisë

Shkruar nga Pamfleti
Goli i anuluar në Kupën e Botës, Kroacia i kërkon FIFA-s
Kombëtarja e Kroacisë

Federata Kroate e Futbollit (HNS) i ka dërguar një kërkesë zyrtare FIFA-s, duke kërkuar shpjegime për disa vendime të arbitrit dhe ndërhyrjet e sistemit VAR gjatë humbjes së Kroacisë ndaj Portugalisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës.

Sipas mediave kroate, përfshirë gazetën “Sportske”, letra është dërguar vetëm një ditë pas përfundimit të ndeshjes dhe përqendrohet në disa episode të diskutueshme. Rasti kryesor i ngritur nga HNS është goli i anuluar i Josko Gvardiolit në minutat shtesë, i cili, sipas kroatëve, do t’i kishte dhënë ekipit barazimin dhe do ta kishte dërguar sfidën në kohën shtesë.

Federata kroate ka shprehur gjithashtu pakënaqësi për penalltinë e dhënë në favor të Portugalisë pas ndërhyrjes së VAR-it. Sipas HNS-së, arbitri kryesor ndodhej në një pozicion të favorshëm për ta gjykuar vetë aksionin dhe fillimisht nuk e kishte cilësuar si penallti. Kroacia pretendon se ndërhyrja e VAR-it nuk ishte e justifikuar, pasi rasti nuk përbënte një “gabim të qartë dhe të dukshëm”, që është kriteri për përdorimin e këtij sistemi.

Sipas federatës, në një situatë të tillë arbitri duhej të ishte thirrur për ta rishikuar vetë pamjen në monitor, përpara se të merrej vendimi përfundimtar.

Një tjetër pikë e kundërshtuar nga HNS është anulimi i golit të Gvardiolit për pozicion jashtë loje, pas një prekjeje minimale të topit nga Matanoviç, e cila u evidentua nga teknologjia e sensorit të integruar në topin zyrtar të turneut.

Federata kroate argumenton se interpretimi i rregullit të pozicionit jashtë loje nga FIFA parashikon që pjesë të trupit si flokët mund të merren parasysh vetëm nëse ndikojnë realisht në lojë, pra në lëvizjen ose trajektoren e topit. Sipas tyre, kjo duhet të vlejë vetëm në raste të qarta dhe jo për situata minimale të zbuluara nga teknologjia.

E konsiderojmë thellësisht të gabuar që një dridhje pothuajse e padukshme, e regjistruar nga një sensor, të mund të përcaktojë rezultatin e një ndeshjeje kaq të rëndësishme”, thuhet në kërkesën e dërguar nga Federata Kroate e Futbollit.

HNS ka theksuar se qëllimi i kësaj kërkese nuk është vetëm rishikimi i vendimeve të marra në këtë ndeshje, por edhe krijimi i një kuadri më të qartë për të shmangur raste të ngjashme dhe vendime të diskutueshme në të ardhmen.

goli i anuluar i kroacisë federata kroate e futbollit

Lini një Përgjigje