TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Korrik 2026, 09:13

Rusët po i rikthehen parasë cash, ndërprerjet e internetit dhe presioni fiskal godasin ekonominë

Shkruar nga Pamfleti
Rusët po i rikthehen parasë cash, ndërprerjet e internetit dhe
Foto ilustruese

Përdorimi i parasë cash po rikthehet me ritme të shpejta në Rusi, ndërsa ndërprerjet e internetit celular dhe vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si qytetarët dhe bizneset kryejnë pagesat.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Rusisë, të analizuara nga BBC, që nga fillimi i vitit janë futur në qarkullim 1.56 trilionë rubla (rreth 20 miliardë dollarë), rritja më e madhe për këtë periudhë në çdo vit, me përjashtim të pandemisë së COVID-19.

Ky fenomen lidhet me valën e sulmeve ukrainase me dronë, të cilat kanë detyruar autoritetet ruse të ndërpresin shpesh internetin celular në zona të mëdha të vendit. Si pasojë, shumë qytetarë nuk kanë mundur të kryejnë pagesa me kartë.

"Mbajtja e parave cash të jep një ndjenjë sigurie. Nëse ndodh një emergjencë dhe rrjeti bie, e di që mund të blej të paktën gjërat bazë", tha për BBC një banore e Moskës, e cila kërkoi të mbetet anonime.

Nuk është hera e parë që rusët i drejtohen parasë në dorë gjatë luftës. Tërheqjet e mëdha të cash-it u regjistruan edhe pas shpalljes së mobilizimit të pjesshëm në shtator 2022, si dhe gjatë rebelimit të grupit mercenar Wagner në qershor 2023.

Megjithatë, rritja e pagesave me para në dorë po krijon një problem të ri për Kremlinin. Shteti e ka më të vështirë të mbledhë taksat në një kohë kur përballet me një deficit buxhetor në rritje dhe ka nevojë për më shumë të ardhura për financimin e luftës në Ukrainë.

Edhe pse të ardhurat nga nafta dhe gazi janë rritur falë rritjes së çmimeve të naftës pas konfliktit me Iranin, ekonomia ruse po ngadalësohet. Ministria ruse e Ekonomisë uli në muajin maj parashikimin për rritjen ekonomike të vitit 2026 në vetëm 0.4%, niveli më i ulët që nga viti 2022.

Në përpjekje për të rritur të ardhurat, qeveria rriti TVSH-në nga 20% në 22% në janar dhe uli pragun mbi të cilin bizneset e vogla dhe të mesme duhet ta paguajnë atë.

Përballë taksave më të larta dhe fitimeve në rënie, shumë biznese – përfshirë farmaci, restorante, sallone bukurie dhe dyqane të vogla – po u kërkojnë klientëve të paguajnë me para cash, në mënyrë që një pjesë e të ardhurave të mos regjistrohet.

"Shumë tezga në treg janë mbyllur sepse nuk ia del më ekonomikisht. Ata që kanë mbetur, u kërkojnë klientëve të paguajnë me para në dorë sa herë që është e mundur", tha një tregtare nga qyteti Pskov.

Edhe drejtori financiar i bankës më të madhe ruse, Sberbank, Taras Skvortsov, paralajmëroi se po shtohen rastet kur bizneset paguajnë pagat "në zarf", jashtë sistemit zyrtar.

Sipas një sondazhi të shoqatës më të madhe të bizneseve të vogla në Rusi, Opora Russia, rreth 6% e sipërmarrësve kanë pranuar se kanë përdorur skema informale për të shmangur barrën e re fiskale, duke mos lëshuar kuponë tatimorë ose duke paguar punonjësit me para në dorë.

Sipas BBC, rikthimi i parasë cash po shndërrohet në një tregues të pasigurisë ekonomike dhe të sfidave që lufta po i imponon ekonomisë ruse.

 

 

rusia para kesh

Lini një Përgjigje